E plotësuar: Dhomat e Specializuara në Hagë sot kanë shpallur vendimin e Apelit për rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vjet burgim.
Kryetarja e turpit gjykues bëri të ditur se Paneli i Apelit ka anuluar dënimin me 10 vjet burgim për pikën e parë të aktakuzës “ndalim arbitrar” dhe të njëjtit i cakton dënim me 8 vjet burgim, anulon gjithashtu dënimin prej 22 vjet burgim për pikën tre të aktakuzës “torturës”, dhe të njëjtit i cakton dënim prej 20 vjet burgim, shkruan Telegrafi.
Apeli gjithashtu anuloi edhe dënimin prej 25 vjet burgim në lidhje me pikën katër të aktakuzës “vrasjes së paligjshme” dhe i caktoi dënimin prej 22 vjet burgim.
“Anulon vendimin e njehsuar me 26 vjet burgim për z.Mustafa dhe cakton një dënim të njehsuar me 22 vjet burgim duke llogaritur kohën e tij në paraburgim”, tha kryetarja e turpit gjykues.
Ajo tutje shtoi se Mustafa do të mbetet në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e tij në shtetin ku do të vuaj dënimin. /Telegrafi/
—–
Nis seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës, pritet vendimi i Apelit
Në Hagë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës ku pritet të jepet vendimi i Apelit.
Kryetarja e turpit gjykues ka thënë se ky aktgjykim shqiptohet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të akuzuarit.
Salih Mustafa ndodhet i pranishëm në sallën e gjyqit.
Kujtojmë se Salih Mustafa është dënuar me 26 vite burgim për krime lufte.
Ndryshe, gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Salih Mustafës më 12 qershor 2020.
Mustafa ishte arrestuar dhe u transferuar në Njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.
Trupi Gjykues e shpalli Mustafa të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. /Telegrafi/