Ndryshimet klimatike dhe pandemia e coronavirusit janë temat kryesore të takimit dyditor të liderëve të njëzet ekonomive më të mëdha në botë, i cili filloi sot në Romë dhe u hap me një fjalim hyrës nga kryeministri italian Mario Draghi.
Kjo është hera e parë që liderët e G20 takohen drejtpërdrejt që nga përhapja e koronës në të gjithë botën. Lideri kinez, Xi Jinping, i cili nuk është larguar nga Kina që nga fillimi i pandemisë, dhe presidenti rus, Vladimir Putin nuk janë në takim. Të dy do të marrin pjesë përmes video-lidhjes.
Samiti vjen menjëherë pasi ekspertët paralajmërojnë se nevojitet veprim urgjent për të reduktuar emetimet e dëmshme dhe dy ditë përpara se liderët botërorë të takohen në Glasgow për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën (COP26).
G20, i përbërë nga nëntëmbëdhjetë vende dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjës për 80 për qind të emetimeve të gazrave serrë në botë. Pothuajse një e treta i referohet Kinës, raporton bbc.
Reuters raporton se draft deklarata e përbashkët e G20 premton të veprojë drejt kufizimit të rritjes së temperaturës në 1.5 gradë, por se nuk do të ketë masa detyruese. G20 përfshin gjithashtu vende të tilla si Arabia Saudite, rezerva më e madhe e naftës në botë, dhe Australia, për të cilën qymyri është produkti i dytë më i rëndësishëm i eksportit dhe vazhdon të investojë në karburant, megjithëse ekspertët bëjnë thirrje për braktisjen e tij, kështu që kritikët dhe grupet mjedisore janë skeptik ndaj qëllimeve të ndershme të shteteve për të luftuar ndryshimet klimatike.
Më shumë se gjashtë miliardë doza vaksinash janë përdorur në mbarë botën. Por 160 ish-liderë dhe figura publike në një letër drejtuar Mario Draghit, kryeministrit italian që kryesonte takimin, paralajmëruan se vetëm 2 për qind e njerëzve në vendet e varfra janë vaksinuar.
Presidenti amerikan Joe Biden pritet t’u bëjë thirrje vendeve që të prodhojnë më shpejt energji, e cila këtë vit po shënon rritje të madhe të çmimeve në tregun botëror.
G20 duhet të mbështesë gjithashtu një taksë minimale për korporatat prej 15 për qind, e cila mbështetet nga 140 vende në mbarë botën. /Telegrafi/