Telegrafi

Nis punën AZHRV, për fazën e parë ndahen 500 mijë euro për secilën agjenci

Në takimin i cili u mbajt të premten në Mitrovicë morën pjesë drejtuesit e komunës së Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë si dhe përfaqësuesit e KE dhe u bisedua për detajet që kanë të bëjnë me funksionalizimin e AZHRV.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se këto agjencione mendohet të përshpejtojnë apo dinamizojnë investimet apo thithjen e donacioneve si dhe të jenë si një lloj qendre koordinuese që kanë të bëjnë me përgatitjen e projekteve që do të përkrahen nga KE-ja apo ndonjë donatorë tjetër.

Ai theksoi se ekspertët e të tri komunave prej javës së ardhshme do të fillojnë takimet për të identifikuar projektet që do të financohen në fazën e parë.

Për detajet rreth funksionalizimit të AZHRV foli Kjartan Bjornsson nga Zyra ndërlidhëse e KE-së në Prishtinë. Ai sqaroi se për fazën e parë do të ndahen nga 500 mijë euro për secilën nga këto agjenci, në mënyrë që të mundësohet realizimi i nga një apo dy projekteve të përbashkëta në mes të dy apo më tepër komunave.

Sipas tij, projektet duhet të jenë të nivelit të lartë profesional dhe t’i takojnë fushave të zhvillimit të biznesit, infrastrukturës rajonale si dhe zhvillimit të kapacitete njerëzore.

“Mund të përfshihen projekte që kanë të bëjnë me edukimin, trajnime të ndryshme etj, të cilat do të realizohen më më së paku me një shumë prej 250 mijë eurosh”.

Ai theksoi se afati për dorëzimin e projekteve në këtë fazë është deri me 18 qershor të këtij viti, prandaj komunat duhet të fillojnë sa më parë punën në identifikimin e projekteve të tyre të përbashkëta.

Bjornsson potencoi se prej suksesit të realizimit të projekteve të para varet edhe përkrahja që do të kenë këto agjencione nga KE-ja dhe donatorët tjerë. /Telegrafi/