Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, dhe u.d. drejtori i QKUK-së, Osman Hajdari, kanë vizituar Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare, përkatësisht aparaturën e PET-CT, e cila tashmë ka filluar të operojë për herë të parë dhe të ofrojë shërbime për pacientët.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se PET-CT është një teknologji e avancuar diagnostike që ofron mundësi të reja për zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, përfshirë kancerin.
“Para nisjes së këtij shërbimi, stafi është trajnuar nga ekspertët ndërkombëtarë.
Aparatura është donacion nga ‘Al Waleed Philanthropies’ nga Riadi, Arabia Saudite, me ndërmjetësimin e Fondacionit ‘Jahjaga’, nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pacientët nuk do të kenë më nevojë të dalin jashtë vendit për të marrë këtë shërbim esencial, duke kursyer kohë dhe mjete financiare”, thuhet në njoftim.
Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se ky shërbim kompleton gamën e shërbimeve diagnostike në QKUK.
Drejtorët Azizi dhe Hajdari, shprehën kënaqësinë për avancimin e kapaciteteve diagnostikuese të SHSKUK-së/QKUK-së, duke e theksuar rëndësinë e këtij shërbimi të ri në përmirësimi dhe mirëqenien e pacientëve tanë”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/