Site icon Telegrafi

Nis protesta para Kuvendit të Shqipërisë kundër paketës ‘antishpifje’

Gazetarët, aktivistët dhe analistë, mbështetur dhe nga opozitarët, po zhvillojnë një protestë kundër paketës anti-shpifje të qeverisë.

Protesta nisi para Kuvendit, aty ku deputetët do të zhvillojnë seancën plenare, ku në rend dite është edhe votimi i kësaj pakete. Protestuesit janë shfaqur me pankarta në duar, ku japin mesazhe të ndryshme për lirinë e fjalës.

Shoqatat e gazetarëve dhe shoqërisë civile kundërshtojnë këtë paketë me pretendimin se ajo nuk i jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online.

Lexo po ashtu 'Antishpifja' shkon në Kuvend për votim, gazetarët në protestë

E propozuar nga qeveria me në krye kryeministrin Edi Rama në paketën anti-shpifje parashikohet që Autoriteti i Mediave Audiovizive të marrë kompetenca deri në mbylljen e portaleve, nëse gjykon se ka publikuar lajme të rreme apo shpifje.

Ndërkohë, kundërshtarët e paketës theksojnë se ky vendim mund të merret vetëm nga Gjykata dhe se asnjë institucion tjetër nuk mund të marrë kompetencat që i takojnë drejtësisë.

Nga ana tjetër, paketa anti-shpifje është kritikuar edhe nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, e kanë vlerësuar si pengim të fjalës së lirë. /BW/

Exit mobile version