(E plotësuar) Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka bërë thirrje për largimin e qeverisë aktuale, pasi ajo sipas tij përmes krimit të organizuar po e shkatërron vendin.
Në fjalimin e tij para masës së mbledhur në protestën e opozitës që po mbahet në Tiranë, kreu demokrat tha se Rama ofron dhunën si mjetin e vetëm për zgjidhje.
“Ky është parlament jo legjitim, kjo është qeveri jo legjitime”, tha Basha.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për dhunën në protestën e së shtunës ndaj protestuesve, duke thënë se vetëm dhuna zgjedhore është ajo që mban Qeverinë Rama në pushtet.
“Ne jemi në betejë për ta çliruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni, ne jemi për Kushtetutë dhe për të drejtën e qytetarëve”, u shpreh kreu demokrat.
Nis protesta e opozitës në Tiranë
Mbështetësit e opozitës kanë nisur të grumbullohen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Megjithëse në reshje të vazhdueshme shiu, qindra mijëra protestues janë grumbulluar në sheshin përpara Kryeministrisë.
Itinerari i marshimit të protestës së sotme të thirrur nga opozita është: Sheshi Skënderbej, Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Tiranë.
Sipas opozitës, simbolika e këtij marshimi-protestë janë institucionet e kapura nga krimi (Parlamenti dhe Qeveria), si dhe institucionet që janë vegla të dhunës barbare policore mbi qytetarët dhe liritë e të drejta e tyre.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestuesve të opozitës të mbledhur përpara ndërtesës së Kryeministrisë, ku po mban një fjalim.