Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) sot po mban një protestë në kryeqytet me kërkesën miratimin e Ligjit për Paga.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli në deklaratën e tij para protestuesve tha se protestat janë “alarm” që ftojnë vëmendje e shpalosin kërkesat e qytetarëve.
“Mos na shpërfillni dhe hapna derën e dialogut social, pasi shqetësimet tona janë reale dhe të përbashkëta”, tha ai, duke kërkuar miratimin e Ligjit për Paga, që do të rregullonte sistemin e pagave.
Ai kërkoi shtesën prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në Kosovë deri në miratimin e Ligjit për paga si zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
“Nuk do të tërhiqemi deri në realizimin e kërkesave tona që janë të arsyeshme”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj tha se BSPK nuk është më e vogël dhe këtë madhështi ia jep SBASHK-u dhe sindikatat tjera.
“Qeveria sot e sheh se nuk po flet as Atdhe Hykolli, as Rrahman Jasharaj por ‘punëtoria’ e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se heshtja e Qeverisë dhe ikja nga dialogu tregon se kanë të drejtë në kërkesat e tyre.
“Qeveria që po thotë se është e Kosovës le të tregohet se është e tillë…Ose do të bisedojmë për kërkesat tona ose do të shkojmë në grevë…”, u shpreh Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës, konkretisht kryeministrit Albin Kurti që t’i marr parasysh kërkesat e sindikalistëve dhe të parandalohet greva.
“Kryeministër realizo kërkesat tona, parandalo grevën e përgjithshme”.
Për shkak të kësaj proteste, në të cilën Sindikata e Bashkuara e Arsimit theksoi se do të marrin pjesë edhe punëtorët e arsimit nuk është mbajtur sot mësim në shkolla.
Miratimi i Ligjit për paga, zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Skemat Pensionale janë disa nga kërkesat e sindikatave.