Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar 6 prillin si data e mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Liburn Aliut, dhe të tjerëve të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Po seanca është caktuar për datën 6 prill në orën 10:00. Kjo është bërë me vendim të gjyqtarit të rastit, Alban Ajvazi”, tha ajo.
Ndryshe, para disa ditësh Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda kishte njoftuar se Liburn Aliu, tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishte qenë në dijeni për ngritjen e aktakuzës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në komunikatën thuhej se “Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se më 23 prill 2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq, ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu para disa ditësh kishte mohuar se ndaj tij ekziston një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës. /Telegrafi/