Pas marrëveshjes së arritur në mbledhjen e Këshillit të rajonit planor të Pollogut ndërmjet kryetarëve të komunave të këtij rajoni dhe banorëve të vendbanimeve në afërsi të deponisë rajonale “Rusino”, ka filluar pastrimi i trasesë së rrugës që çon deri te deponia rajonale, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Pas pastrimit të trasesë dhe tamponimit të rrugës do të fillojë edhe bartja e mbeturinave.
“Marrëveshja është që deri nesër në mbrëmje të pastrohet traseja e rrugës për në “Rusino” dhe pastaj të fillohet me bartjen e mbeturinave nga komunat e Pollogut për në deponinë “Rusino”, si deponi e vetme me kushte minimale për deponim të mbeturinave në rajoni e Pollogut”,- ka deklaruar kryetari i Këshillit Komunal-Tetovë, Hisen Xhemaili.
Duke respektuar marrëveshjen e arritur për pastrimin e trasesë, Xhemaili ka thënë se është angazhuar makineri nga të gjitha komunat dhe ndërmarrjet komunale dhe se punët po zhvillohen në mënyrë intensive./Telegrafi/