Site icon Telegrafi

Nis operimin Bursa e Energjisë Shqipëri-Kosovë, Balluku: Hap i rëndësishëm për sektorin elektro-energjetik

Ka nisur sot operimin Bursa Shqiptare e Energjisë, e cila bashkon tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës. Fillimi i punës është bërë përmes ankandit të parë të tregut të ditës në avancë.

Në një ceremoni të veçantë të organizuar për këtë rast, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi nisjes e operimit të Bursës është një hap i rëndësishëm për sektorin elektro-energjetik shqiptar.`

Ajo shtoi se Shqipëria është sot në pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike.

“Shqipëria është në një nga pozitat më të mira në rajon sa i përket strategjisë energjetike dhe zhvillimit që do t’i japim vendit për të arritur objektivin për të qenë një vend eksportues neto energjie në vitin 2030. Ka qenë një rrugë e vështirë për të dizenjuar këtë strategji dhe për ta bërë atë koherente. Diversifikimi i burimeve të rinovueshme është synimi kryesor, por nuk harrojmë faktin se qëndrueshmëria dhe siguria energjetike mbeten kryesoret”, tha ajo.

Balluku vuri në dukje se, viti 2022 shënoi nevojë ekstreme të të pasurit të një burse për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Kjo është një punë 5-vjeçare dhe në disa momente dukej e pamundur, por viti 2022 ka shënuar nevojën ekstreme të të pasurit të një burse energjetike për Shqipërinë dhe Kosovën. Sot lançojmë ankandin e parë të ALPX-të të ditës në avancë, duke krijuar kështu një mundësi që brenda 12 muajve të kemi edhe tre ankande ditore të intraday duke kompletuar këtë proces”, tha Balluku.

Sipas saj, kjo është bursa e dytë në rajon, që i përket Shqipërisë dhe Kosovës.

”Do të jetë një sfidë e re. Tani nis një hap i ri për krijimin e likuiditeteve që duhet të ketë kjo bursë. Prioritet i qeverisë shqiptare mbetet mbrojtja e familjarëve dhe bizneseve nga çmimet marramendëse të tregut”, deklaroi Balluku.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se edhe pse duket sikur çmimet janë stabilizuar, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në sezonin veror.

“ALPEX është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, të cilat po shtohen e do të shtohen gjithnjë e më shumë, falë një sërë investimesh të reja apo të tjerave akoma në vijim”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version