Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar numërimin e fletëvotimeve që kanë ardhur nga diaspora.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi. Ai gjithashtu theksoi se po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga vendvotimet e zhvilluara në përfaqësitë diplomatike.
“Mund t’iu konfirmoj se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i vendvotimeve të fundit nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe tani kemi filluar edhe numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës”, theksoi Elezi.
Procesi i vlerësimit apo verifikimit të pakove me fletëvotime nga jashtë Kosovës kishte përfshirë rreth 69 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar rreth 63 mijë, ndërkaq janë refuzuar rreth 4 mijë e 900.
Nga KQZ kishin deklaruar se arsyet e refuzimit të këtyre fletëvotimeve lidhen kryesisht me mosplotësimin e kritereve, si dërgimi nga persona të cilët janë anuluar gjatë procesit të regjistrimit si votues jashtë Kosovës, mungesa e dëftesës së regjistrimit, dërgimi i njëjtit votim më shumë se një herë apo fletëvotimet e dërguara nga persona të ndryshëm në të njëjtën pako.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më datën 9 shkurt, ku sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.90% të votave.
Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 22.03% të votave.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 17.64% të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.46% të votave.
Procesi i zgjedhjeve është vlerësuar si demokratik dhe pa incidente./Telegrafi/