Nis në Apelin e Posaçëm seanca për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri
Beleri kërkon pafajësi në Apel, duke kundërshtuar dënimin me 2 vite burg nga shkalla e parë.
Trupa gjykuese e përbërë nga Daniela Shirka, Ilirjana Olldashi dhe Dhimitër Lara do të shqyrtojë kërkesën e Fredi Belerit ditën e sotme.
Beleri ndodhet në qeli prej datës 12 maj të vitit 2023, nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Togat e zeza pritet të marrin vendimmarrje nëse do e lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë apo nëse do shpallin pafajësinë.
Kujtojmë se Beleri qëndron në burg që prej 12 majit të 2023, 2 ditë para zgjedhjeve. Ai arriti të fitonte zgjedhjet por ende nuk lejuar të kryejë betimin si kryebashkiak.
Gjithashtu Beleri u zgjodh eurodeputet përkrah 7 deputetëve të tjerë të zgjedhur nga partia Demokracia e Re dhe kryeministrit Mitsotakis, për të koordinuar veprimtarinë për Parlamentin Europian.
Në një intervistë telefonike në “Now me Erla Mëhillin” ditën e djeshme, Beleri tha se nëse Apeli do i jepte pafajësi, mes detyrës si eurodeputet dhe asaj si kryebashkiak, do të zgjidhte ti shërbente Himarës.