Site icon Telegrafi

Nis ndërtimi i shkollës në Doganaj të Kaçanikut, që kushton mbi 1 milion euro

Në fshatin Doganaj të komunës së Kaçanikut sot është bërë vënia e gurë themelit për ndërtimin e shkollës fillore “Ali Asllani”.

Ndërtimi i kësaj shkolle do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe do të kushtojë 1 milion e 150 mijë euro.

Me rastin e fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj shkolle, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi bëri të ditur vlerën që do të kushtojë ndërtimi i shkollës, derisa tha se me ndërtimin e kësaj shkolle do të krijohen standarde të larta.

“Ky nuk është vetëm një premtim të cilin në fakt e kemi dhënë për të pasur një objekt të ri, një ambient krejt ndryshe për nxënësit dhe mësimdhënësit, është edhe një obligim i yni që ne si MASHT jemi zotuar që anë e kënd Kosovës të krijojmë ambiente të cilat kanë nevojë mësimdhënësit dhe nxënësit tanë. Ne si ministri po marrim obligime që këto ambiente t’i shndërrojmë në ambiente moderne, ndërsa obligimi i përbashkët që duhet të jetë dhe na takon të gjithë neve që të angazhohemi që të gjithë së bashku ta ngrisim edhe cilësinë brenda shkollave. Hapi i parë është të kemi objekte moderne, ndërsa hapi i dytë po aq i rëndësishëm është angazhimi i përbashkët që të kemi edhe një mësimdhënie dhe nxënie moderne”, tha ai.

Ai tha se fshati Doganaj nuk do të ketë më problem me ambientin shkollor.

Lajm të mirë ndërtimin e kësaj shkolle për banorët e fshatit Doganaj e ka quajtur kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai tha se me ndërtimin e kësaj shkolle krijohen kushtet që të kërkojnë ngritje të cilësisë në arsim.

Ndryshe, ndërtimi i shkollës “Ali Asllani” do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version