Site icon Telegrafi

Nis mbledhja komemorative për Astrit Deharin, Kurteshi: Astriti u vra nga ky pushtet!

Vdekja e studentit të Mjekësisë dhe aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ka tronditur tërë opinionin e gjerë.

E sot kur pritet ti jepet lamtumira e fundit, në Fakultetin e Filologjisë është duke u mbajtur mbledhje komemorative.

Me këtë rast Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar fillimisht një minutë heshtje në shenjë të nderimit të jetës së Astrit Deharit.

Kurteshi ka thënë se Astritin e kishte njohur kohë më parë në Bern të Zvicrës si një fëmijë të ëmbël e plot energji, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se për Xhemilen dhe Avniun, humbja është më e dhimbshmja, sepse edhe dhimbja e Artës e Albanës nuk mund të matet me asgjë sepse nuk është materiale.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Astrit Deharit dhe vdekjes së tij tragjike

“Përveç familjes edhe ne të tjerët kur na vdes dikush e vërjem një gjë, që dashuria nuk është e dukshme për syrin, prandaj të vdekurit nuk zhduken, por mbesin përherë në zemrat tona. Meqë ne jemi të habitur nga dhimbja në këto momente. Vdekja bëhet edhe më e rëndë kur është e papritshme, sepse përnjehër njeriu i dashur bëhet i paprekshëm”, tha Kurteshi.

Kurteshi ka shtuar se ka përjetuar vdekjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës të cilët u vranë nga okupatori, por që nuk i kishte shkuar mendja që do ta përjetonte vdekjen e Astritit.

“Kurr nuk e kisha menduar se do ta përjetoja vdekjen e një shoku që është rrit me idealet e shokëve të Jusuf e Bardhosh Gërvallës, dhe të vritet nga ata që në emër të këtyre shokëve janë bërë vrastarë të Astrit, të lirisë e të atdheut”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka thënë se Astriti ka qenë një gur i çmueshëm pa asnjë anë të errët. Kurteshi tha që Astriti u vra nga dora e këtij pushteti./Telegrafi/

Exit mobile version