Site icon Telegrafi

Nis largimi i trupave të pajetë nga aeroplani i rrëzuar në Brazil

Ekipet braziliane të mbrojtjes civile kanë punuar gjatë gjithë natën për të hequr mbetjet e pasagjerëve në një aeroplan që u rrëzua së fundmi pranë Sao Paulos, Brazil, duke vrarë të gjithë 62 personat në bord.

Qeveria e Sao Paulos ka njoftuar se të paktën 21 trupa janë gjetur në mëngjes, me dy viktima të identifikuara në vend.

Bëhet e ditur se të gjithë trupat po transferohen në morgun e policisë në Sao Paulo, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Një aeroplan me 62 pasagjerë rrëzohet në Brazil, flakë dhe tym në zonën e aksidentit

Transportuesi rajonal Voepass tha se aeroplani mbante 57 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, por kompania konfirmoi se një tjetër pasagjer i pagjetur ishte në fluturim, duke e rritur numrin e viktimave në 62.

Pozicioni i trupave në aeroplanin e rrëzuar, karakteristikat fizike, dokumentet dhe telefonat po përdoren për të ndihmuar në identifikimin e tyre, deklaroi zjarrfikësi Maycon Cristo.

“Pasi të mblidhen të gjitha këto prova, ne do t’i largojmë viktimat nga rrënojat dhe do t’i vendosim në automjetin për t’u transportuar në Sao Paulo”, tha Cristo.

Ndryshe, aeroplani, një turboprop ATR-72, ishte nisur për në Sao Paulo nga Cascavel, në shtetin e Paranës dhe u rrëzua rreth orës 13:30 në qytetin Vinhedo, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Sao Paulos. /Telegrafi/

Exit mobile version