Site icon Telegrafi

Nis kampi “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, Kujtim Isa, tha se është me rëndësi që fëmijët të cilët janë e ardhmja e vendit, të merren sa më shumë me aktivitete sportive.

Sipas tij, me anë të trajnimeve në këtë kamp, fëmijët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për sportin, të shoqërohen me njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë lojërat të ndryshme argëtuese.

Isa, potencoi se DKRS-ja, jo vetëm këtë aktivitet, por edhe aktivitetet tjera që si qëllim kanë masivizimin e sporteve, do t’i mbështes në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur që gjendem në mesin e juaj. Besoj se ju në këtë kamp do të kaloni shumë mirë”, tha mes tjerash Isa.

Ndërkaq, Veton Çitaku, instruktor i kampit sportiv, tha se “Shkolla e hapur zbavitëse e futbollit”, që zhvillohet për herë të gjashtë në qytetin e Mitrovicës, është aktivitet në të cilin marrin pjesë fëmijët e moshave prej 6 deri 12 vjeç, të të dy gjinive dhe të gjitha përkatësive etnike.

“Gjatë këtij manifestimi sportiv do të zhvillohen disa stërvitje dhe ndeshje futbolli, përmes të cilave fëmijët argëtohen”, theksoi ai.

Hapjes së kampit më së shumti ju gëzuan fëmijët, të cilët kanë falënderuar të gjitha ata që kanë mundësuar që edhe këtë vit në Mitrovicë, të organizohet ky kamp.

Ndryshe, kampi i këtillë organizohet në 27 vende të botës, në mesin e tyre edhe në Kosovë, përkatësisht edhe në pesë qytete të tjera. Projekti financohet nga shtetet skandinave, mbështetur edhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe si synim ka shoqërimin, argëtimin dhe lojërat për fëmijë, në mënyrë që të masivizohen aktivitetet e të rinjve që merren me sport. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version