Telegrafi

Nis java e tretë e vitit shkollor, nxënësit e Komunës së Malishevës vazhdojnë të përballen me mungesë të teksteve shkollore

Data 2 shtator 2024 ishte dita e parë e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025 në Republikën e Kosovës.

Ky vit shkollor në të gjitha shkollat e vendit filloi njësoj, pavarësisht që disa nxënës në disa shkolla të vendit ende nuk ishin pajisur me tekste shkollore për shkak të vështirësive që disa prindër kishin hasur në sigurimin e këtyre teksteve shkollore.

Gjatë mbledhjes së nëntë të Komitetit për komunitete në Komunën e Malishevës, një ndër temat kryesore që u diskutuan ishte pikërisht mungesa e madhe e teksteve shkollore me të cilat nuk janë furnizuar nxënësit nëpër shkollat e kësaj komune, edhe pse tashmë mësimi i rregullt ka hyrë në javën e tretë, problematikë kjo që po e vëshirëson procesin mësimor.

Përveç kësaj çështjeje në këtë mbledhje  të pranishëm ishin edhe drejtrorët e shkollave në Komunën e Malishevës, me të cilët u diskutua edhe rregullimi i disa çështjeve teknike nëpër institucionet shkollore në këtë fillim vit shkollor.

Ky takim përfundoi me disa rekomandime të anëtarëve të këtij Komiteti, të cilët u zotuan që do të jenë të gatshëm të ofrojnë ndihmën e tyre që ky vit shkollor të jetë sa më i suksesshëm. /Telegrafi/