Hapësira e vogël mediale që u dedikohet fëmijëve, emisionet me përmbajtje joadekuate për ata, mungesa e madhe e vetëdijesimit të prindërve dhe atyre që ofrojnë përmbajtje mediale, raportimi i rasteve individuale për fëmijët e cenueshëm janë disa nga shqetësimet e ngritura në kuadër të tryezës “Edukimi medial, përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”, me rastin e fillimit të javës ndërkombëtare të edukimit medial.
Në këtë tryezë diskutimi të organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Departamenti i Gazetarisë të UP-së, u vlerësua i vonuar trajtimi i kësaj teme në Kosovë, derisa u theksua nevoja për mbrojtjen e interesit të fëmijëve në raport me përmbajtjet mediale.
Anëtarja e KPM-së, Violeta Hyseni-Kelmendi tha se mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin dhe komunikimin e fëmijëve.
“Pavarësisht një kornize të mirë ligjore që rregullon përmbajtjet televizive, ne jemi dëshmitarë se fëmijët dhe të miturit sot konsumojnë përmbajtje të shumta televizive edhe përmes platformave tjera të cilat janë jashtë juridiksionit të KPM-së dhe këtu përfshihen ‘youtube’, ‘Netflix’ dhe rrjetet sociale, por këtu KPM nuk ka mandat. Në anën tjetër, më duhet të them që është obligim ligjor i mediave që të kenë standardet e tyre vetërregulluese, të kenë kodet praktike për transmetimin e programit, i cili potencialisht mund të ketë efekt negativ te fëmijët, meqenëse fëmijët sot kanë më shumë qasje se kurdoherë më parë, të cilat në mungesë të një mendimi kritik mund të shkaktojnë pasoja të shumta në jetën e tyre”, tha ajo.
Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Faruk Rexhaj, tha se është evidente mungesa e vetëdijësimit të prindërve për rëndësinë e përmbajtjes mediale për fëmijët, pasi që rreth 90 përqind e ankesave që marrin lidhur me këtë çështje janë nga subjekte tjera.
“Një prej shkeljeve më të shpeshta që identifikohen janë mosparalajmërimi me sinjal akustik apo tekstual para fillimit të apo pas ndërprerjeve të programeve me përmbajtje të dëmshme për fëmijët dhe të miturve… Në KPM pothuajse 90 përqind e ankesave nuk vijnë nga prindërit, thjesht jashtë ankesa të subjekteve të ndryshëm, të shoqatave. Duhet të ketë një vetëdijësim më të madh të prindërve”, tha ai teksa shtoi se do të vazhdojnë monitorimin e rreptë të kësaj kategorie.
Edhe shefi i departamentit të gazetarisë, Muhamet Jahiri tha se në Kosovë ka mungesë të vetëdijësimit të prindërve dhe atyre që ofrojnë përmbajtje mediale. Ndërkohë që prezantoi të gjeturat e një hulumtimi që kanë bërë së bashku me studentët sa i përket përmbajtjes së programeve që u ofrohen fëmijëve.
“Fatkeqësisht, mundeni me besu ose jo, prej tri televizioneve me frekuencë nacionale, asnjëra nga to nuk e kalon një orë në javë me emisione që u dedikohen fëmijëve… Në shumicën e këtyre emisioneve që i kemi analizuar, realisht janë temat joadekuate për fëmijë, pavarësisht që televizioni është i dedikuar për mosha të reja… Joatraktivitet në kuize. Disa emisione kanë edhe kuize, por shumë prej tyre nuk janë atraktivë për shkak se paraqesin pyetje të gjata që shumë herë nuk kanë një logjikë dhe humb rrjedhën e mbulimit të pyetjes konkrete. Një fenomen në emisionet për të rinj ka të bëjë me gjuhën joadekuate, sidomos barbarizmave dhe fjalëve të huaja që janë tejet të pranishme në emisionet për fëmijë”, tha Jahiri.
Ai rekomandoi televizionet që të mos japin në kuadër të lajmeve qendrore kronika ku fëmijët ekspozohen negativisht, por të trajtohen sukseset e tyre në mënyrë që të jepet një mesazh pozitiv te të miturit.
Kurse, drejtoresha ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), Donjeta Kelmendi tha se edukimi medial është i një rëndësie shumë të madhe për fëmijët teksa shtoi se mbetet shumë shqetësues raportimi i rasteve individuale për fëmijët që janë të cenueshëm.
“Për neve si koalicion mbetet shumë shqetësuese raportimi i rasteve individuale për fëmijët e cenueshëm. Kemi raste që ka shkelje shumë të rënda, duke përfshirë këtu edhe shkeljet ligjore, por edhe shkeljet etike”, u shpreh ajo.
Profesori universitar, Alban Zeneli tha se përmes aktivitetit të sotëm në kuadër të shënimit të javës ndërkombëtare të edukimit medial synojnë të mbrojnë fëmijët nga përmbajtjet e papërshtatshme mediale të dedikuara për ta. /KP/