Site icon Telegrafi

Nis intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit dhe gjashtë Prokurorive Themelore

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka filluar me procesin e intervistimit të  kandidatëve për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorë të gjashtë Prokurorive Themelore.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në web-faqen e KPK-së.

Për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, është konfirmuar si kandidat i vetëm prokurori Xhevdet Bislimi, ndërsa me një kandidat për kryeprokuror është edhe gara për Prokurorinë Themelore në Ferizaj, të cilën pozitë po e synon ta mbaj kryeprokurori aktual, Shukri Jashari.

Për Prokurorinë Themelore në Mitrovicë është konfirmuar si kandidat prokurori Ismet Ujkani, ndërsa në Prokurorinë Themelore në Pejë në garë janë prokurorët Agim Kurmehaj, që është duke e ushtruar këtë pozitë dhe Sahide Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për Prokurorinë Themelore në Gjakovë në garë për pozitën e kryeprokurorit janë prokurorët  Deshirë Jusaj, Ramiz Buzhala dhe Ardita Beqiraj.

Për Prokurorinë Themelore në Prizren në garë janë kryeprokurori i deritanishëm Admir Shala dhe prokurorët Ervehe Gashi dhe Musli Gashi.

Ndërsa për Prokurorinë Themelore në Gjilan, për pozitën e kryeprokurorit, janë konfirmuar si kandidatë prokurorët Arben Kadriu, Agron Uka, Afrim Shefkiu, Shqipdon Fazliu dhe Rabije Jakupi.

Ndryshe, të gjithë kandidatët që do zgjedhën si kryeprokurorë të prokurorive përkatëse do ta fillojnë punën nga 1 janari i vitit 2021.

Exit mobile version