Familjet e viktimave të aksidentit me aeroplan në Brazil nga i cili mbetën të vdekur 62 persona, kanë mbërritur në morg dhe po punojnë me ekspertët e mjekësisë ligjore për të identifikuar eshtrat e të vdekurve.
Autoritetet lokale thanë se trupat e pilotit, Danilo Santos Romano dhe bashkëpilotit të tij, Humberto de Campos Alencar e Silva, ishin të parët që u identifikuan nga ekspertët.
Ndërkohë, qeveria e shtetit Sao Paulo tha në një deklaratë se eshtrat e të gjitha viktimave ishin gjetur.
Bëhet e ditur se në rrënoja kishte 34 trupa të meshkujve dhe 28 të femrave, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Turboprop me dy motorë ATR 72 i operuar nga linja ajrore braziliane Voepass u nis për në aeroportin ndërkombëtar Guarulhos në Sao Paulo me 58 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit kur u rrëzua në Vinhedo.
Testet e gjakut u bënë gjithashtu për të ndihmuar përpjekjet për identifikimin.
Policia ka kufizuar hyrjen kryesore të morgut të Sao Paulos, ku po identifikohen trupat.
Eksperti brazilian i aviacionit Lito Sousa paralajmëroi se vetëm kushtet meteorologjike mund të mos jenë të mjaftueshme për të shpjeguar pse aeroplani Voepass ra në atë mënyrë që ra.
“Të analizosh një përplasje ajrore vetëm me imazhe mund të çojë në përfundime të gabuara rreth shkaqeve”, tha Sousa. /Telegrafi/