Telegrafi

Nis hartimi i draftkonkluzave për veriun

Ekipet e bisedimeve teknike të Kosovës e Serbisë, të udhëhequra nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri dhe nga shefi i ekipit serb, Dejan Pavicevic kanë udhëtuar të hënën pasdite drejt Brukselit, njofton “Tribuna”.

Me gjithë lehtësimin që mund t’ua bëjnë zyrtarët e Zyrës së Baroneshës, Catherin Ashton, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të kenë shumë punë para vetes, për t’i përgatitur bashkërisht të gjitha konkluzionet e “marrëveshjeve” për veriun e Kosovës që pritet të arrihen në rrethin e ardhshëm të bisedimeve në nivel të kryeministrave, më 4 mars.

“Ekipet kosovare e serbe bashkë me ndërmjetësit e Bashkimit Evropian do të punojnë për harmonizimin e konkluzioneve për shpërbërjen e strukturave paralele, për rifunksionalizimin e gjykatave, “ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë së Kosovës, me kushte anonimiteti.

Sipas të njëjtit burim do të flitet edhe për organizimin e zgjedhjeve në komunat e veriut, për asociacionin e komunave, për mënyrën e rekrutimit në institucionet kosovare të zyrtarëve serbë në veri që deri tani janë paguar nga Beogradi etj.”, ka thënë një zyrtar i lartë brenda Qeverisë së Kosovës, me kushte anonimiteti.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar për “Tribunën” se pala kosovare tashmë e ka të hartuar platformën për tranzicionin që duhet të ndodhë në veri. /Telegrafi/