Për shkak të mos plotësimit të kërkesave nga ana e Qeverisë për rritje pagash, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës nga sot ka vendosur të hyjë në grevë të përgjithshme.
Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ndryshe, orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.
Por, edhe pse SBASHK-u, ka nisur grevën e përgjithshme, në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë do të mbahet mësim i rregullt.
Përmes një njoftimi, thonë se i mbështesin mësimdhënësit, por grevën nuk e cilësojnë si mjetin të duhur për t’i zgjidhur problemet.
“Shkolla jonë mbështetë kërkesat e mësimdhënësve që të ngritët koeficienti i pagës dhe të jetë i dinjitetshëm, të jetësohet statusi i mësimdhënësve të viteve 90- ta, por duke gjetur forma të tjera të grevës pa e dëmtuar procesin mësimor. Arsimi duhet të jetë prioritet i prioriteteve dhe të shpallet interes nacional”, thuhet në njoftimin e tyre.
Vendimin e shkollës fillore “Elena Gjika, e ka mbështetur edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Foto: Arkiv/Ilustrim