Site icon Telegrafi

Nis gjykimi i policit që u arrestua duke transportuar drogë (Video)

Polici i Kosovës, i cili ishte arrestuar nga kolegët e tij teksa po transportonte drogë, ka dalë para Gjykatës.

Para Gjykatës të martën dolën Mikush Shala, Gazmend Dobruna, Shaban Halimi, Aziz Hamiti dhe Skender Salihaj, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale – blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

I pandehuri Skender Salihaj akuzohet edhe për veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

I akuzuari Gazmend Dobruna ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës në ditën kur u arrestua nga kolegët e tij.

Rubrika “Policia” e emisionit “Drejtësia në Kosovë“ solli pamje ekskluzive nga operacioni i 2 gushtit të vitit të kaluar, kur u prangos i pandehuri Dobruna pasi që në veturën që e drejtonte ai u gjet një sasi e konsiderueshme e narkotikëve.

Aksionin mund ta shihni në videon e mëposhtme.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Gazmend Dobruna, Shaban Halimi e Aziz Hamiti më 2 Gusht të vitit të kaluar në fshatin Shakovicë të Podujevës u ndaluan nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe gjatë kontrollit në veturën të cilën e drejtonte Gazmend Dobruna në bagazh u gjet dhe sekuestru sasi e narkotikut që dyshohej të jetë marihuanë me peshë të përgjithshme prej 5 kilogramë e 455 gramë.

Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpinë e të njëjtit janë sekuestruar edhe 700 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit tjetër Mikush Shala më 1 shkurt të vitit të kaluar në pikën kufitare në Merdar Policia në mbështetësen e ulëses së pasme të veturës gjeti dhe sekuestroi 13 paketime me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 12 kilogramë e 208 gramë.

Në bazë të aktakuzës, Skender Salihajt më 2 gusht i janë gjetur dhe sekuestruar dy thasë me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 52 kilogramë e 900 gramë si dhe mjete të punës që janë përdorur për qëllim të paketimit të substancave narkotike.

Po ashtu, gjatë kontrollit nga ana e pjesëtarëve të Policisë atij i janë gjetur dhe sekuestruar edhe një armë dhe një pushkë, të cilat i mbante pa autorizim.

Në seancën e parë gjyqësore, që u mbajt sot, i akuzuari Mikush Shala para trupit gjykues e pranoi veprën penale për të cilën akuzohet dhe tha se e ndjen veten shumë fajtor.

Pas pranimit të fajësisë, avokati i të akuzuarit Mikush Shala, Nikë Shala, i propozoi kryetarit të trupit gjykues që të mbrojturit të tij t’i hiqet masa e paraburgimit pasi që i njëjti po mbahet në paraburgim që nga shkurti i vitit të kaluar. Sipas avokatit, tanimë të gjitha shkaqet dhe rrethanat për mbajtjen në paraburgim kanë pushuar.

Me kërkesë të njëjtë trupit gjykues iu drejtuan edhe avokatet mbrojtës të të akuzuarve të tjerë, të cilët deklaruan se nuk e pranojnë veprën penale për të cilën akuzohen.

Por, kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, mori aktvendim me të cilin e liroi nga masa e paraburgimit vetëm Mikush Shalën, ndërsa për të akuzuarit e tjerë të cilët po mbahen në paraburgim që nga 2 gushti i vitit të kaluar e vazhdoi masën e paraburgimit për afat të pacaktuar.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe Enver Asllani e Adem Berisha, të cilët gjenden në arrati.

Seanca e radhës do të mbahet në muajin prill. /Kallxo.com/

Exit mobile version