Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca fillestare në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Para trupit gjykues është deklaruar Naim Murseli i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ai u shpreh se është shtetas i Kosovës dhe Suedisë dhe se është i ve pasi që i është vrarë gruaja.
“Jam shtetas i Kosovës dhe Suedisë. Nuk jam i martuar, jam i ve pasi që e kam gruan të vrarë. Gjendja ekonomike e mesme”, tha Murseli, raporton Telegrafi.
Gjyqtarja tha që e kanë njoftuar ambasadën e Suedisë në lidhje me mbajtjen e seancës së sotme.
Për këtë rast të akuzuar përveç Naim Murselit, janë edhe Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.
Avokati i të akuzuarit Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj u shpreh se nuk janë kushtet për të vazhduar kjo seancë, pasi siç tha ai sot ka pranuar dokumentacionin për rastin.
Gjyqtarja e rastit nuk e pranoi kërkesën, derisa i kërkoi të njëjtit të mbajë qetësi.
“Si mbrojtje nuk mund të deklarohemi në lidhje me pranimin e fajësisë”, tha avokati Dodaj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj katër të akuzuarve.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje. /Telegrafi/