Telegrafi

Përfundon seanca e parë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, nesër vazhdohet me deklaratën hyrëse të mbrojtjes

E plotësuar: Ka përfunduar seanca e sotme në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ku u paraqiten deklaratat hyrëse nga Prokurori dhe mbrojtësi i viktimave.

Nesër (e mërkurë), pritet të vazhdohet me deklaratën hyrëse të mbrojtjes dhe deklaratën pa betim të Pjetër Shalës.

 

——

Mbrojtësi i viktimave: Në këtë gjykim do të dëgjohet zëri i atyre që vuajtën në Kukës

E plotësuar:  Mbrojtësi i viktimave Simon Laws, ka paraqitur deklaratën e tij hyrëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Laws ka deklaruar se në këtë proces do të dëgjohen zërat e atyre që vuajtën në Kukës dhe atyre që nuk jetojnë më.

Ai tha se kur ishin të ndaluar viktimat, ata që ishin përgjegjës, i merrnin në pyetje me mizori, dhe se viktimat dëgjonin njëri tjetrin tek sa ulërinin dhe e dinin që e kishin radhën, jetonin në kushte të tmerrshme dhe ditët e netët e tyre ishin të mbushura me dhimbje e frikë.

Tutje, deklaroi se dëshmitari 733 ka thënë se i pëshpëritnin njëri tjetrit në vesh sepse nuk guxonin të flisnin me zë të lartë nga frika mos i përgjonin nga jashtë.

Ndërsa, tha se një tjetër tha se nuk i lejonin të flisnin me njëri tjetrin dhe derisa rrinin të shtrirë në dysheme pëshpëritnin.

Pjesa tjetër e paraqitjes së deklaratave hyrëse nga mbrojtësi i viktimave vazhdoi në seancë të mbyllur për publikun. /Telegrafi/

——-

Prokuroria e ZPS-së tregon fotografi të ndërtesës ku pretendon se u rrahën viktimat dhe u vra njëri nga ta

E plotësuar: Në Hagë po vazhdon të mbahet gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Gjatë seancës gjyqësore njëra nga prokuroret e ZPS-së ka folur për dëshmitarët që do të dëshmojnë në këtë gjykim.

Ajo ka thënë se njërit prej dëshmitarëe iu kërkua të pranonte që kishte vrarë 100 shqiptarë, që kishte përdhunuar gra dhe ju kërkua të këndonte një këngë serbe.

Ajo tha se të ndaluarit ishin shqiptarë, disa prej tyre me etni rome, të cilët nuk morën pjesë në luftime, ku disa edhe kishin mbështetur UÇK-në.

Sipas prokurores, e dërguan në fabrikë në mbrëmje vonë me 20 maj 1999 ose rreth kësaj date, ku u dërgua në ndërtesën e komandës.

“Atë e vendosën në një qeli të improvizuar, të ngushtë dhe pa dritë natyrale. Ai aty u takua me dëshmitarin 01488, i cili kishte ditë që mbahej në të njëjtin qeli në Kukës. Natën e mbërritjes të 04733 në Fabrikën e Metalit atje, ishte nata ku ndodhën rrahje brutale në ndërtesën e komandës dhe janë raportuar nga viktimat në këtë çështje”, tha ajo.

Tutje, u tha se më pas vijuan ta rrahin me shufra, shkop bejsbolli, shufra prej gome, shufra tjera dhe një pjesën e pasme të revolverit.

Ai tha se e dogjën me cigare, i hodhën në plagë kripë dhe i thyen dhëmbët, rrahën në mënyrë brutale derisa humbi ndërgjegjen, derisa kur mori ndjenjat ishte i lagur nga uji, ndërkohë që e rrahura vazhdoi.

Prokuroria për të pranishmit në sallë, ka treguar fotografi të ndërtesës ku pretendon se u rrahën viktimat dhe u vra njëri nga ta.

Fillimisht, njëra nga prokuroret ka shpjeguar pozitën gjeografike të Kukësit dhe ka thënë se fabrika e Metalit në Kukës, që pretendohet se është vend i krimit gjendet në periferi, 1 km larg qendrës dhe për këtë paraqiti një hartë.

Sipas prokurorisë, kjo fabrikë ka qenë një herë pronë shtetërore e Shqipërisë, e më vonë është privatizuar nga një person, ku të njëjtit iu kërkua të shfrytëzonte këtë fabrikë nga një ushtar UÇK-së, ku ai  ishte pajtuar me këtë.

Sipas prokurorisë, UÇK ka shfrytëzuar këtë fabrikë për 3 muaj dhe është shfrytëzuar gjatë konfliktit të armatosur dhe lidhur me këtë konflikt gjatë periudhës së aktakuzës. /Telegrafi/

 

——

Prokurori: Shala ishte në grup me Sabit Gecin e Xhemshit Krasniqin, mori pjesë në vrasjen e një personi

E plotësuar: Ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting ka thënë se Pjetër Shala ishte pjesë e grupit me Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqin.

Prokurori Whting tha se Shala mori pjesë në vrasjen e një personi.

Ai tha se dëshmitë do të tregojnë se ishte pjesë e një grupi të vogël ushtarësh të UÇK që kanë kryer këto krime. Sipas tij, ky grup përfshinte Sabit Gecin dhe Xhemshit Krasniqit, të dy të shpallur fajtor në dy gjyqe në Kosove për krimin e ndalimit arbitrar dhe keqtrajtimin e zhvilluar në fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas tij, aktakuza tregon se janë ndaluar dhe keqtrajtuar të paktën 18 viktima në këtë fabrikë.

“Ky grup kriminal përfshirë të akuzuarin ka vrarë njërin prej këtyre viktimave natën mes 4 apo 5 qershorit të 1999, apo afërsisht në atë kohë. Viktimat e kësaj çështje janë shënjestruar për shkak të afërsisë së perceptuar që kishin me serbët. Janë trajtuar si spiunë dhe bashkëpunëtorë që kanë merituar dënimin e poshtërimin. Janë ndaluar pa asnjë proces të ligjshëm”, tha ai.

Ai tha se çështjet gjyqësore nuk janë kundër Kosovës e UÇK-së, por individëve që pretendohet se kanë kryer krime gjatë luftës.

Sipas tij, në çështjet e tjera, përfshirë këtë, shumica e viktimave janë shqiptarë të Kosovës, e në disa të gjitha dëshmitarët janë viktima shqiptarë. /Telegrafi/

——–

Pjetër Shala: Akuzat ndaj meje janë trillime, jam i pafajshëm

E plotësuar: Prokurori i ZPS-së, ka paraqitur para trupit gjykues akuzat për të cilat akuzohet Pjetër Shala.

Prokurori ka thënë se Shala akuzohet me katër akuza për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë  dhe vrasje e paligjshme të gjitha këto të kryera në fabrikën e metalit në Kukës.

“I akuzuari ngarkohet me këto vepra penale. Akuzohet si anëtarë i ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, ka thënë Prokurori.

Gjykatësja pastaj ka pyetur Pjetër Shalën se a i kupton akuzat më të cilat ngarkohet.

Shala ka thënë se nuk i pranon.

“I kuptoj por nuk i pranoj të gjitha janë shpifje dhe trillime. Jam i pafajshëm”, ka thënë Shala. /Telegrafi/

——–

Nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Në Hagë ka nisur gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krime lufte.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/