Telegrafi

Nis gara për kryeshef të PTK-së

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), ka shpall konkurs për kryeshef ekzekutiv. Konkursi për kryeshef ekzekutiv është hapur në bazë të nenit 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe vendimit të datës 26.11.2011 të Bordit të Drejtorëve të PTK-së.

 

Po ashtu në konkurs është theksuar se si pjesë e procesit të ndryshimeve në këtë kompani inkurajohen aplikacionet nga kandidatët e gjinisë femërore.

 

Ndryshe, PTK-ja, nga shtatori i vitit të kaluar menaxhohet nga ushtruesi i detyrës, Mehdi Latifaj.

 

Latifaj ishte emëruar u.d nga bordi i drejtorëve pas shkarkimit të Ejup Qerimit.

 

Ky i fundit ishte shkarkuar për shkak të performancës së dobët.

 

Sipas konkursit të publikuar në ueb faqen zyrtare të PTK-së, kandidatët e interesuar për këtë post duhet të kenë minimum diplomë universitare nga fusha e shkencave teknike, ekonomike, juridike, menaxhment të biznesit ose fusha të ngjashme.

 

“Minimum shtatë vjet përvojë pune relevante, ku prej të cilave së paku pesë vite në menaxhment të nivelit të lartë në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, konsulencë në biznes ose industri ose në një fushë tjetër që lidhet ngushtë me veprimtarinë e PTK-së”, thuhet në konkurs.

 

Po ashtu shtohet se kandidatët duhet të kenë eksperiencë në nivel të lartë të menaxhmentit në ambient konkurrues e që është përparësi përvoja e suksesshme në implementimin e ndryshimit të menaxhmentit dhe/ose ndryshimeve të shpejta ose të reja të tregjeve dhe industrive.

 

PTK SH.A. është Kompania nacionale e Postës dhe Telekomit të Kosovës me të ardhura vjetore mbi 200 milionë euro.

 

PTK-ja është në kërkim të zyrtarëve kryesor të korporatës me kualifikim, me integritet të njohur dhe përvojë të nevojshme profesionale që do të udhëheqin korporatën në përputhje me parimet e njohura për qeverisjen korporative të Ndërmarrjeve Publike dhe të vazhdoj zhvillimin e shërbimeve në një ambient konkurrues.

 

Vitin që lamë pas, Qeveria e Kosovës kishte përfituar 15 milionë euro dividentë nga PTK. /KP/