Jam i pikëlluar për shkak të situatës momentale politike në Maqedoni, por fakt është se unë nuk shoh një rrol konstruktiv për ndërmjetësuesin e KB rreth çështjes së emrit derisa të vendoset një qeveri e zgjedhur në mënyrë të drejtë dhe demokratike në Shkup, ka deklaruar Mathhew Nimetz, ndërmjetësi në kontestin Greqi-Maqedoni, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Besoj se liderët politik në Maqedoni duhet ta vendosin interesin kombëtar në vend të parë, mbi politikat tradicionale, dhe ta marrin parasysh atë që është më e mirë për popullin”, ka theksuar Nimetz në TVSonce.
Sipas tij, liderët duhet të demonstrojnë pjekuri dhe mençuri dhe të lëvizin në drejtim konstruktiv, sa më parë aq më mirë.
“Vërtetë shpresoj se së shpejti do të dilet nga qorrsokaku i tanishëm politik dhe besoj se kjo mund të arrihet vetëm përmes zgjedhjeve parlamentare të cilat i plotësojnë kriteret nga Marrëveshja “Përzhino”. Pasi të vendoset qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike, ju siguroj që prioritet më të lartë në emër të Kombeve të bashkuara do ta kem përfshirjen e sërishme serioze të palëve ndërkombëtare në zgjidhjen e çështjes së emrit, ka thënë ndërmjetësuesi Mathhew Nimetz./Telegrafi/