Analisti Risto Nikovski duke komentuar rastin e deputetit Pavle Bogoevski tha se nuk mund dikush të zgjidhet në funksion të lartë dhe të mos kontrollohet.
Ai theksoi se kontrollet janë të nevojshme për faktin se ka pasur më disa raste në shtet, duke veçuar ish kryetarin e Novo Sellos që u përfshi në kontrabandë me çka u dënuar me 18 muaj burg, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ligji në Maqedoni zbatohet në mënyrë selektive. Ky është problemi më i madh në vend. Kjo është vërejtja kryesore që e merr shteti në zbatimin e së drejtës për të gjitha rastet njëjtë. Tani ka rast konkret dhe autoritetet duhet të reagojnë. Bëhet fjalë për person që kryen funksion publik”, tha Nikovski.
Sipas Nikoskit, pa dallim se për cilin funksion publik bëhet fjalë, personi i zgjedhur nuk guxon të ndërmarrë veprime të paligjshme.
“Rasti është i qartë, deputeti vet pranoi se ka pranuar një vepër të tillë, dhe kjo është e paligjshme”, tha Nikovski duke shtuar se duhet të ketë reagim nga organet kompetente./Telegrafi/