Ministri i Bujqësisë Ljupço Nikollovski, sot ka realizuar takim me bujqit e Komunës së Rankovcës, me të cilët ka diskutuar për gjendjen aktuale në bujqësi, si dhe masat që ka paralajmëruar ministria për bujqit pas zgjedhjeve presidenciale.
Nikollovski tha se është i habitur për interesimin e shfrytëzimit të masave që ofron programi IPARD, sidomos nga gratë rurale, për të cilat tha se do të rritet mbështetja e grave bujqësore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gratë-bujqësore do të kenë mundësi për grant prej 3 mijë eurove, ndërsa masa për bujqit e rinj do të rritet nga 10 mijë në 20 mijë euro. Me këtë do të bëhet ripërtëritje e fondit fitues në shtet”, tha Nikollovski.
Ai shtoi se për disa ditë do të publikohet masa e re për blerjen e makinerive, për të cilën tha se në vitin 2019 është rritur buxheti dhe arrin në 60 milionë denarë./Telegrafi/