Site icon Telegrafi

Nikoliq falënderon Indonezinë për mosnjohjen e Kosovës dhe votën kundër në UNESCO

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq ka falënderuar Indonezinë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën ai e quan të njëanshme, pavarësisht presioneve, duke shtuar se ky shtet është pozicionuar në qëndrimin se integriteti territorial dhe sovraniteti i një shteti, anëtar i OKB-së, duhet të respektohet dhe të ruhet.

Nikoliq, i cili përfundoi sot vizitën e tij tre-ditore në Indonezi, ka thënë për mediat vendase indoneziane se miqësia mes dy vendeve, e nisur në vitin 1958, është rifreskuar sot, raportojnë mediat serbe, transmeton KosovaPress.

Duke folur për qëllimet e vizitës së tij atje, Nikoliq, ndër tjerash, ka thënë se ka shkuar edhe për të falënderuar Indonezinë për pozicionimin parimor dhe mbështetjen dhënë Serbisë, si dhe për faktin që nuk e ka njohur “pavarësinë e të ashtuquajturit shtet të Kosovës“, pavarësisht presioneve.

“Indonezia është një mike e vjetra e jona, dhe ne dëshiruam të nxjerrim në pah se përse Kosova nuk është shtet. Në anë tjetër, Indonezia është shteti më i madh islamik në botë. Shumë njerëz kanë provuar që konfliktin në Kosovë ta paraqesin si konflikt fetar mes të krishterëve dhe muslimanëve, gjë e cila nuk është e vërtetë”, është shprehur presidenti serb.

Nikoliq ka theksuar po ashtu se Serbia ka votuar për Indonezinë që të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në vitin 2019 dhe 2020, derisa Indonezia ka votuar kundër Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s.

Exit mobile version