Projekti për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Pejë ka marrë një vëmendje të veçantë për shkak të rëndësisë dhe madhësisë së tij. Ky projekt që synon të transformojë qendrën e këtij qyteti, është pjesë e planeve më ambicioze të Komunës së Pejës për zhvillimin urban.
Në lidhje me këtë Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës, Agron Nikçi, për Telegrafin ka theksuar se ndërtimi i sheshit “Skënderbeu” është një ndër projektet më të mëdha dhe më të kushtueshme të komunës për vitin aktual.
Projekti pritet të ketë një ndikim të madh në zhvillimin urban të qytetit, duke ndryshuar qendrën dhe duke ofruar një hapësirë moderne për qytetarët.
“Ne në planifikim e kemi vazhdimin e sheshit të ri në qendër këtu, ne procedurat e prokurimit i kemi vazhduar dhe i kemi përfunduar në muajin qershor por për shkak të zonës dhe të fluksit të madh që bëhet aty i kemi shtyrë punimet deri më tani, jemi në fillim të punimeve, ka filluar rrënimi i objekteve private, nga komuna dhe kemi bërë një marrëveshje pothuajse me të gjithë pronarët që të bëhet rindërtimi i tyre por të bëhet në mënyrë dhe në kushtet që i lëshon komuna”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.
Sipas tij punimet kanë nisur me fazat fillestare, përfshirë infrastrukturën nëntokësore, elektrifikimin, kanalizimin dhe ujësjellësin, ai shtoi se puna është ndarë në dy faza.
“Punë të vrazhda vetëm sa kanë filluar, këto punët e para që janë si infrastruktura nëntokësore, elektrifikimi, kanalizimi, ujësjellësi, dhe pritet që deri në fund të vitit ose në fillim të vitit tjetër të bëhet përfundimi i punëve. I kemi ndarë në dy faza, faza e parë furnizimi me materiale dhe e dyta me punë të vrazhda”, ka vazhduar Nikçi.
Ndërsa sa i përket përfundimit të këtij projekti, Nikçi është shprehur se pritet të përfundojë brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe është një nga investimet më të mëdha të komunës e cila kësaj të fundit do t’i kushtoj afro 1.3 milionë euro.
“Pritet që deri në fund të vitit ose në fillim te vitit tjetër të bëhet përfundimi i punëve, e cila e kap vlerën deri 1.2 ose 1.3 milionë euro si tanësi, mundem me thënë se në këtë vit është ndër dy-tre projektet më të mëdha që i kemi në komunë”, ka përfunduar ai.
Ndërtimi i sheshit “Skënderbeu” jo vetëm që do të ofrojë një hapësirë të re publike për qytetarët e Pejës, por gjithashtu do të kontribuojë në përmirësimin e qarkullimit dhe modernizimin e zonës qendrore të qytetit. /Telegrafi/