Site icon Telegrafi

Nikaj pas humbjes: Malisheva ishte favorite, lodhja e bëri të veten

Trajneri i Vushtrrisë, Samuel Nikaj ka folur pas humbjes nga Malisheva në barazhin për Superligën e Kosovës.

Vushtrria u mposht me rezultat 3-1 nga Malisheva dhe humbi mundësinë për t’u inkuadruar në Superligën e Kosovës për sezonin e ri.

Megjithatë, trajneri Nikaj ka thënë se kjo humbje erdhi pas diferencave të mëdha në aspektin fizik mes dy skuadrave dhe lodhjes së ekipit të tij pas ndeshjes me Lirinë në “play-off”.

Lexo po ashtu Malisheva mposht Vushtrrinë dhe siguron qëndrimin në Superligën e Kosovës

“Të them të drejtën, e dinim se Malisheva është favorite në këtë ndeshje sepse është skuadër e Superligës. Me këtë intensitet, Malisheva ka luajtur në 36 javë, ndërsa ne kemi pasur pak ndeshje të luajtura në një intensitet të tillë”, ka thënë fillimisht Nikaj pas ndeshjes.

“E kemi respektuar Malishevën, por ishte lodhja që e bëri të veten. 120 minutat në Klinë ishin të forta dhe skuadra e pati të vështirë të rikuperohej. Fondi i lojtarëve ndikoi, diferenca ishte e madhe mes ekipeve”.

Lexo po ashtu Thaqi: Jam i lumtur që Malisheva mbeti në Superligë, e merituam pasi dominuam ndeshjen

“Për mendimin tim, edhe referimi nuk ishte shumë i mirë. Duhej të ishte një gjyqtar më kompetent. Penalltia u dha, ani pse më herët kishte faull në të mirën tonë”.

“Rrugëtimi deri në këtë fazë ka qenë i vështirë, por jam i lumtur që tifozët kemi arritur që t’i kthejmë sërish në stadium. Shpresoj ta shohim Vushtrrinë në Superligë sepse te kjo skuadër ka potencial. Djaloshi i ri që hyri në lojë, Medin Gashi, do të jetë një Milot Rashica i dytë”, ka përfunduar trajneri i Vushtrrisë. /Telegrafi/

Exit mobile version