Telegrafi

Nick Cave thotë se e ndjen prezencën e djalit të tij të ndjerë

Nick Cave (Foto: Tabatha Fireman/Getty Images/Guliver)

Nick Cave e ka bërë një publikim emocionues në faqen ‘The Red Hand Files‘, duke thënë se komunikon me djalin e tij, Arthur, i cili ndërroi jetë tragjikisht në vitin 2015.

Vizitorët e faqes së tij e kanë mundësinë që t’i bëjnë pyetje muzikantit në lidhje me karrierën, jetën dhe muzikën, ndërsa shumë pyetje kanë pasur të bëjnë me djalin e tij të ndjerë.

Susie Bick dhe Nick Cave (Foto: Jason Kempin/Getty Images/Guliver)

Një prej fansave i ka thënë se po komunikon përmes ëndrrave me anëtarët e ndjerë të familjes së tij dhe e ka pyetur këngëtarin nëse edhe ai komunikon me djalin e tij.

Lexo po ashtu Nick Cave rrëfen rikthimin në jetë normale, pas humbjes së djalit: Kuptimi ndryshon gjatë viteve

Cave e ka falënderuar për pyetjen dhe ka thënë se trishtimi dhe dashuria janë gjithmonë të ndërthurur dhe se kur duam, atëherë edhe vuajmë.

“Vuajtja është një vizitor i trishtueshëm në thellësi të dashurisë sonë dhe është po aq autoritar sa dashuria. Okupon thelbin e qenies sonë dhe përmes gishtërinjve tanë përhapet deri në kufijtë e universit”, ka thënë rokeri duke shtuar se gjatë gjithë kohës ndjen prezencën e Arthurit.

“E dëgjoj si më drejtohet dhe më udhëheq, edhe pse ndoshta nuk është aty. Ato fantazma, sikur ideja, flasin për mundësi”.

“Ndiqni idetë tuaja, sepse nga ana tjetër e tyre ndodhen ndryshime, zhvillim dhe pendim. Ftoni dhe jepuni jetë, sepse duart e tyre joreale na kthejnë në një botë nga e cila jemi përjashtuar – në një të sotme më të mirë dhe ndryshime të paimagjinueshme”, ka thënë Cave.

Djali i Cave, Arthur, ra nga një shkëmb në Brighton të Anglisë dhe ndërroi jetë nga lëndime më 14 korrik 2015, në moshë 15 vjeçare. Ndikimi i vdekjes së tij te këngëtari dhe familja e tij është shfaqur në dokumentarin “One More Time with Feeling” (2016) dhe albumin “Skeleton Tree” (2016). /Telegrafi/