Geoffrey Nice, ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, ka thënë se akuzat e para nga Gjykata Speciale nuk janë ngritur për disa arsye.
Ai përmend edhe mundësinë që Specialja të mos ketë dëshmi për akuzat ndaj ish-anëtarëve të UÇK-së.
“Se di sa gjatë do të presim por deri tani kemi pritur për katër vjet dhe kjo është prej se Gjykata është formuar. Para se kjo të ndodhte, hetuesit thonin se akuzat po vonohen vetëm për faktin se Gjykata nuk ekzistonte dhe sapo Gjykata do të niste funksionimin do të dilnin me akuzat e para.Kjo gjë nuk ka ndodhur. Mos ndoshta sepse nuk ka dëshmi, jo vetëm për trafikimin e organeve por për asgjë tjetër”, ka thënë Nice në Klan Kosova.
Nice tutje është shprehur se zvarritja e këtij procesi favorizon Serbinë.
Sipas tij, kjo ndikon edhe në propagandën e shteti serb, për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës.
“Çfarë bëhet përmes zvarritjes së këtij procesi? Së pari kjo është në interes të Serbisë dhe askujt tjetër sepse historia e Serbisë preket nga kjo njollë që rri mbi Kosovën dhe Serbia është në pozicion më të fortë derisa këto akuza mbahen, që të vazhdojë të qëndrojë në pretendimet territoriale karshi Kosovës. Çfarë tjetër po ndodh derisa koha kalon? Shtetet po e çnjohin Kosovën dhe kur e bëjnë këtë, kanë në mendje këto akuza edhe pse mund të mos kenë informata të bollshme për to”, deklaroi tutje Nice.
Ai ka deklaruar se “Prokuroria ka për detyrë që të dalë me akuza nëse ka dëshmi ose të thotë se nuk ka dëshmi dhe të marrë fund kjo histori”.
Sipas tij, ish-liderët e UÇK-së po intervistohen nga Gjykata Speciale për të mbledhur dëshmi sepse nuk ka mjaftueshëm të tilla.
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës ka thënë se nuk mund ta di se cilat janë interesat e SHBA-ve dhe vendeve evropiane për themelimin e kësaj gjykate. /Telegrafi/