Site icon Telegrafi

Ni poet – ni poezi: Karantina

Fotografi e vitit (1986), me një grup shkrimtarësh e pedagogësh, pas Orës së leximit Letrar kushtuar 80-vjetshit të lindjes së Esad Mekulit. I pari nga e majta është Bajram Mjeku. Halil Matoshi i dyti nga e majta, në rreshtin poshtë. Nga kjo fotografi nuk jetojnë mâ Esad Mekuli, Gani Luboteni, Neshet Boshnjaku, Afrim Maliqi, Ali Podrimja, Ramiz Kelmendi, Basri Qapriqi, Abdullah Konushevci, Agim Kikaj, Nurie Zekaj dhe Ibush Kikaj.

Ngujimi i Bogdanipolisit në vargje borhesiane

Nga: Halil Matoshi

Poezia “Karantina” e Bajram Mjekut dëfton dhe e bân t’zâshme heshtjen para ni drame tragjike që âsht konstanta e qytetit të tij.

Autori e nisë kângën e tij si mimesis, ni dialog të heshtun me qytetin e tij, që âsht rrâja e tina gjuhësore, akti i shprehjes, akti i ngjasimit dhe i prezantimit të vetvetës.

Poeti i ndrojtun dhe vetmue e në heshtje, shpalosë kit përngjasim, në sheshin ku Gjergji rri po ashtu i heshtun, para Theatrit ku luhet ni dramë konstante e ngujimit!?

Porse kjo heshtje âsht bubullimë!

Poezi që estetizon dramën e lujtun në zgjatim kohe p’ej dy mijë vjetësh e n’hapsinë të rrudhun, në ni dyzgin kali! Dramë e autorit t’ngujuem e t’hedhun n’biopolitikë.

Poeti si ne kaleidoskop e tfillon dramën e qenies së tij thellë në histori, tu e i dhânë ni pamje të bukur asaj, (bukuri trishtimi) për me ardhë në të sotmen e t’njâjtit shesh, sot e ktu, në ni ngujim të ri, ku ka pllakosë ni murtajë sa mosha e kohës, si dhe ni fuqi e re tiranike e kontrollit.

Poeti e nisë vargun në heshtje pothuejse si më mort – dëshmon për shekujt futë që ranë mbi këtë qytet – dhe sërish rikthehet në të sotmën ku frymon murtajë e fundheshme shiqnue me sëmundjën e pushtetit, siç e cilëson paranojën Elias Canetti.

Kjo poezi e Bajram Mjekut i përket frymës së traditës letrare të Qarkut Kulturor të Prishtinës, si dëshmi se njajo Frymë e Bogdanit po rikthehet si cikël i qytetnimit.

E pashkatrrueshme.

P.S. Pjetër Bogdani përket në traditën e Hasit dhe tejkohshëm i jep frymë “Qarkut kulturor të Prishtinës”. Amin Malooufi shpjegon faktin se në natyrën e njeriut âsht me e mbrojtë mâ s’shumti atë element të identitetit të tij, i cili âsht mâ i cënuemi. Këtë identitet, e mbrojti Ibrahim Rugova, studjuesi ma i madh i veprës së Bogdanit “Çeta e profetëve”, (Cuneus Prophetarum, 1685) e po e mbrojnë pasuesit, bogdanipolitanët e rinj ndër breza…

***

KARANTINA

Poezi nga: Bajram Mjeku

Pash më pash sonte i rashë Prishtinës
Sheshe të zbrazëta, s’lëvizte asnjeri
Veç kukullat e reklamave në dyqanet bosh
Më soditnin heshtur e buzëqeshjengrirë.

Këmbët papritur më çuan te Kastrioti
Gjithmonë i heshtur, ngjeshur me shpatë
As kali i tij hingëlloi natën pa hënë
Gjithçka u rikthye pesë shekuj më vonë.

Siluetat u shfaqën në Sheshin Skënderbe
Pranë Teatrit nisi të shfaqej një dramë
Djemtë e Arbnit përgjakeshin me jeniçerë
Murtaja që s’e pashë vërtitej mbi plato.

Shpata e mburoja t’përgjakura kudo
Një nga një i mblodha në një balladë
Nuk ndodhi beteja te Ura e Qabesë
Ndodhi në Prishtinë, në sheshin e zbraztë.

Pastaj një gjamë e ndjeva që larg
Jam Pjetër Bogdani tha zëshëm ai burrë
Një natë sikur kjo me murtajë e makth
Jeniçerët më hodhën midis kasabasë
Copë më bën qentë e Perandorisë së sëmurë.

Këmbët papritur më kthyen te Katedralja
Trembëdhjetë herë këmbanat oshëtinë
Të gjallë e të vdekur nisën të mbajnë vesh
A dëgjoni, dy mijë vjet jemi në karantinë
Dy mijë vjet murtaja frymon midis nesh…

Prishtinë, mars 2020

Exit mobile version