Site icon Telegrafi

Ngushëllimet e liderëve politikë për vdekjen e këngëtares Shahindere Bërlajolli – Stafaj

Ka vdekur sot këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Shahindere Bërlajolli – Stafaj.

Ngushëllime për vdekjen e artistes nga Peja kanë shprehur edhe liderët politikë në vend.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët dhe komunitetin artistik për vdekjen e këngëtares Bërlajolli – Stafaj.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

“Me dhimbje mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares së njohur, Shahindere Bërlajolli. Ajo me dekada dha kontribut për pasurimin e thesarit të këngës shqipe dhe është vlerë e madhe për trashëgiminë tonë kulturore. Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë, prandaj u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, artdashësve dhe gjithë të afërmve të saj”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj:

“Pikëllues lajmi i ndarjes nga jeta të artistës së këngës burimore shqiptare, Shahindere Bërlajolli-Stafaj. Ajo, bashkë me plejadën e artë të muzikës së viteve ‘70, krijoi identitetin kulturor të Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit artistik mbarëshqiptar”.

Ministrja e Kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi:

“Sot, mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të këngëtares së mirënjohur, Shahindere Bërlajolli. Jam e prekur thellësisht nga kjo humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, në këto ditë të vështira.

Shahindere Bërlajolli me zërin e saj unik, i dha muzikës tonë perla të cilat do t’i kujtojmë përherë me nostalgji. Repertoari i saj i pasur gjysmë-shekullor, është vlerë për këngën dhe lirikën shqipe.

Me dashuri do t’i kujtojmë përherë këngët e saj origjinale popullore “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules” etj. Me këto këngë u rritëm gjenerata të tëra. Opusi i saj muzikor do të mbesë përherë thesar autokton i muzikës burimore shqiptare.

Me nderimin më të madh për kontributin dhe trashëgiminë e pavdekshme muzikore te saj, shpreh ngushellimet më të ndjera familjes, miqve dhe artdashësve”.

Ndryshe, Shahindere Bërlajolli numëron afro 280 këngë, shumica e të cilave janë të regjistruara në Radio Prishtinë dhe në vende të tjera regjistruese.

Lexo po ashtu Ndërron jetë këngëtarja Shahindere Bërlajolli-Stafai

Ajo ka një karrierë të bujshme 55-vjeçare dhe disa nga këngët e saj më të njohura janë: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “Baresha e dashnume”, “Lules”, “Hajde dalim moj goce”, “O bylbyl me pika-pika”, “Një lule në Gostivar” etj. /Telegrafi/

https://www.youtube.com/watch?v=FzvedIMo8jI

Exit mobile version