Telegrafi

Ngujimi i nepalezeve në “kasollet e ciklit menstrual”

30-vjeçares i është ndaluar qëndrimi në shtëpi gjatë pesë ditëve të ardhshme. Një fqinje i sjell asaj ushqim. Ajo i hedh disa copëza buke në pjatën e Sabritas prej një distance goxha të sigurt. Ka një arsye shumë të fortë pse ajo nuk dëshiron t’i afrohet asaj – sherri i ciklit menstrual, shkruan “Al-Jazeera", transmeton Koha Ditore.

“Ritual” i përmuajshëm

Kështu vepron nga pesë ditë çdo muaj. Sabrita tashmë është mësuar me këtë mënyrë jetese. “Neve nuk na lejohet të kthehemi në shtëpi. Madje as që të shkojmë e të marrim bukë e ujë. Nuk na lejohet as të lutemi, sepse konsiderohet se nuk jemi të pastra”, thekson Sabrita, duke kthyer kokën në drejtim të shtëpive poshtë fshatit. Ajo nuk mund as të kërkojë ndihmën e mjekëve tradicionalë të zonës.

Por halli më i madh i Sabritas dhe të gjitha grave është se nuk u lejohet të prekin as fëmijët e tyre. Këto ndalesa janë të bazuara në traditën antike të njohur si “chhaupadi”. Kuptimi i kësaj kompozite të përbërë prej dy fjalëve lokale do të thotë se “të jesh e paprekshme.

Gratë shpjegojnë se tradita ka ardhur si pasojë e bindjes së vjetër se gratë nuk duhet të preken gjatë ciklit të rregullt menstrual sherri i papastërtisë. Gjykata Supreme e Nepalit kishte shpallur më 2006 ilegal “chhaupadin”. Megjithatë tradita çmohet e respektohet me fanatizëm në zonët e thella malore të vendit aziatik.

Kjo po ndodh edhe këtu, në fshatin e Sabritas, Marku. Ajo jeton në një shtëpi me gjendje të mjerueshme. Është pothuajse kasolle. Ajo ka dy fëmijë, dy lopë dhe disa pula. Megjithatë pesë ditë në muaj e ka të ndaluar të flejë me fëmijët e saj. Gjumin duhet ta bëjë në të ashtuquajturën “kasolle e ciklit menstrual”.

Në dëborë e shi

“Duhet të fle në kasolle edhe gjatë kohës së dimrit e të verës. Është hapësirë e vogël. Mezi arrij ta mbledh trupin, sepse nuk mund t’i shtrij as këmbët”, thekson gruaja, duke përshkruar vështirësitë me të cilat përballet sa herë merr rrugën drejt kasolles. “Madje kam parë edhe gjarpërinj përreth kasolles”, thekson Sabrita, duke treguar netët e gjata kur kasollja i vërshohet prej ujit në kohën e reshjeve të shiut.

Megjithatë ka çehre të hareshme edhe kur flet për të zezat që i vuan gjatë ciklit menstrual. Sabrita nuk do ta bëjë e vetmuar natën në kasolle. Fqinja e saj, Madhu Bogati, është gjithashtu në kohën e ciklit menstrual. Kur hiqet kamera, vjen edhe një fqinje tjetër. Ato rrëfejnë se nganjëherë edhe pesë gra kalojnë natën në kasollen e vogël.

Pse femrat në shekullin 21 ende u përmbahen këtyre rregullave të ashpra? A e respektojnë ato këtë traditë me vullnetin e tyre të lirë? Pema Lhaki, avokate e të drejtave të njeriut nëpër vende të ndryshme, mundohet të kërkojë përgjigje. Ajo ka më shumë se dhjetë vjet që i lufton me mish e me shpirt tabutë që ende nuk po i hiqen qafe vendit të saj. Lhaki thekson se është shumë e rëndësishme se duhet të hiqet kjo stigmë.

“Njerëzit duhet të mësohen se kjo është gjë normale. Dhe cikli menstrual është diçka që vetëm fuqizon femrat. Ajo thotë se duhet edhe burrat ta kuptojnë se gratë nuk duhet të veçohen dhe të turpërohen për shkak të ciklit menstrual”, thekson ajo.

Zgjidhje alternative

“Chhaupadi: praktikohet kryesisht në zonat malore në pjesën perëndimore të Nepalit – nja 1.100 kilometra nga kryeqyteti Kathmandu. Ekipi i televizionit nga Katari ka kaluar më shumë se një javë duke udhëtuar përgjatë zonave Achham dhe Doti. Shumica e fshatrave shtrihen larg prej rrugës. Shpeshherë kërkohen disa orë udhëtim për të udhëtuar vetëm pak kilometra me makinë. Dhe shumë fshatra mund t’i vizitoni vetëm nëse ia mësyni në këmbë.

Ekipi i “AL-Jazeeras” është përballur me shumë vështirësi gjatë ngjitjes së rrugës së përbaltur e të gurtë malore. Në disa vende nuk ka bërë punë as makina moderne e specializuar për vende të thepisura. Njerëzit mblidhen sa herë që shfaqet ndonjë i huaj.

Kështu ndodh edhe në zonën malore të Rikhadas. Njerëzit janë shumë miqësorë, por shprehin shumë dyshime. Kjo është një temë për të cilën ata nuk është se flasin me qejf. Njerëzit edhe frikësohen për këtë punë. Por pse? Megjithëse në fillim shpreh goxha njëfarë hezitimi, Bahadur Nepali pajtohet të flasë me ekipin e televizionit.

Si krejt burrat e zonës së tij, edhe ai punon në Indi. Ai ka ardhur vetëm të qëndrojë disa ditë te familja. Ai flet me krenari se gruaja dhe të bijat e tij nuk kanë pse të qëndrojnë natën në kasolle dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Ka gjetur një alternativë tjetër. Ai ka ndërtuar një “odë për ciklin menstrual” poshtë shtëpisë së tij. Ajo është rreth një metër e gjysmë e gjatë dhe një metër e gjerë. Gjithçka është prej dheu.

Në emër të Zotit!

Nganjëherë edhe tri a katër femra duhet të ndajnë të njëjtën hapësirë. “Por u lejohet të sjellin batanije që të kenë njëfarë rehatie”, thekson Bahaduri Nepali. Ai ka një shpjegim të thjeshtë për të treguar se pse ky cikël menstrual trajtohet në këtë mënyrë.

“Ne i mbajmë vajzat jashtë shtëpisë për hatër të Zotit”, thekson burri para kasolles së ndërtuar prej tij. “Dhe nuk është mirë ato të mbahen brenda gjatë kohës sa kanë gjakderdhje. Kjo është arsyeja pse i mbajmë larg shtëpisë”.

“Chhaupadi” ka prejardhje fetare. Është i lidhur me parimin indian të ritualit të pastërtisë. Thuhet se femrat e humbin këtë pastërti gjatë ciklit menstrual, mbase për shkak se krerët fetarë nuk kanë tjetër arsye për ta shpjeguar rrjedhjen e gjakut çdo muaj. Ata e konsiderojnë ciklin menstrual si diçka supernatyrore, kështu që e kanë shpallur ciklin menstrual të papastër dhe kanë urdhëruar gratë të distancohen prej shoqërisë së tyre.

Njerëzit vazhdojnë të mbesin të distancuar prej pjesës së botës. Shteti nuk e ka shtrirë dorën edhe në këtë pjesë. Rrugët kanë mbetur në mëshirë të fatit. Edhe ditëve të sotme rrugët rrihen në këmbë, duke u rënë trup arave kodrinore e faqeve të rrezikshme të tyre. Meqë gratë janë të papastra gjatë ciklit menstrual, duhet të marrin një rrugë tjetër.

Ekipi i televizionit ka takuar një grup vajzash derisa po merrej me këtë temë. Ato ishin në ciklin menstrual dhe kishin zgjedhur një rrugë anësore që të shkonin në kasolle.

Vdekja në kasolle

Njomaket hezitojnë të flasin për “chhaupadin”. Pastaj pranojnë të takohen me ekipin. Aty është edhe Bhaku Kumani Bista dhe nëna e saj. Pas hezitimit të vazhdueshëm, dikur lëshojnë pe. Ajo pranon të flasë me aktivisten Pema dhe lejon të xhirohet kasollja e ciklit menstrual.

Pema shpeshherë i ka bërë këto diskutime me vajzat dhe gratë e zonës. Të gjitha thonë se nuk është se u pëlqen jeta e distancuar prej bashkësisë. Por ato nuk kanë ndonjë mënyrë për të protestuar.

“Nuk e di nëse besojnë, por frikësohen se nëse do të ndërmerrnin diçka për të kundërshtuar këtë mënyrë të trajtimit të tyre gjatë kohës së ciklit menstrual, do t’u ndodhte diçka e keqe”, ka deklaruar Pema.

“Druajnë se e keqja do t’u ndodhte familjeve të tyre, fshatit të tyre, vendit të tyre”. Ka vajza që nuk dëshirojnë të flasin për praktikë antike që po rrezikon jetën e tyre. Njëra prej vajzave që thotë se e ka lënë shkollën kur ishte në klasë të gjashtë tregon se do të dëshironte të qëndronte në bankat shkollore. Ajo duhej t’i ndihmonte nënës me punë të shtëpisë.

“Unë merrem me prerjen e barit, larjen e enëve dhe gjërave të tjera të nevojshme të shtëpisë”, thekson vajza. Ajo thotë se vazhdon të respektojë traditën e ngujimit në kasolle pesë ditë në muaj për shkak të ciklit menstrual. Nuk do të preferonte të qëndronte e vetme në kasolle, por nuk ka tjetër çare. E di se kështu jeton me frikë. “Kam dëgjuar lëvizje gjarpërinjsh. Do të ishte mirë të qëndronim në shtëpi.

Braktisja e shkollës

A nuk do të preferonte ajo të qëndronte në shtëpi me prindërit edhe gjatë ciklit menstrual? “Do të doja, por kështu është tani”, thekson rioshja. Kjo frikë i ka kushtuar me jetë Samila Bhulit. Prindërit e saj ende vajtojnë vdekjen e të bijës së tyre më të madhe. Ajo kishte vdekur para dy vjetësh. Nëna e saj në njërën dorë mban të bijën e vogël, ndërkaq në dorën tjetër mban fotografinë e të bijës së ndjerë.

“Kemi fjetur gjatë asaj nate të ciklit menstrual. Kjo bëri që njerëzit në fshat të mendonin se kështu e keqja e bërë e kishte çmendur burrin që kishte pirë alkool. Unë doja të qëndronim në shtëpi, por njerëzit në fshat do të nisnin të flisnin dhe kështu do të ndodhte ndonjë e keqe nëse nuk do të ndiqnim rregullat e ciklit menstrual”, kujton nënë Samila.

Vajza kishte vendosur të shkonte të nesërmen në kasolle. “Unë shkova ta shikoja ditën tjetër, ajo ishte shtrirë në stomak dhe duket se kishte fytyrën përtokë. Nuk po nxirrte asnjë zë. Mendova e ishte në gjumë të thellë”, thekson ajo. Vajza nuk po lëvizte. “E ktheva dhe pashë se nxirrte shkumë për goje. Unë u shkova dhe humba vetëdijen”.

Kasollja ku ishte vendosur Sarmila Bhulit e ndjerë. Askush nuk e di se çka kishte ndodhur atë natë. Kurrë nuk ishte kryer ndonjë autopsi. Prindërit e saj mendojnë se e bija ishte asfiksuar. Ishte i ftohtë i madh dhe vajza nuk kishte lënë asnjë vrimë nga frika se do të mërdhinte.

Rrënojat e tmerrit

Babai Yagyaraj Bhul tregon kasollen ku i vdiq e bija. Kasollja ishte poshtë shtëpisë. Ata nuk kishin mundur ta shihnin më me sy vendin dhe vendosën të shkatërronin gjithçka. Megjithatë, janë rrënojat që ua sjellin kujtimet e tmerrshme. Çifti i ka edhe gjashtë vajza.

Babai Bhul betohet se kurrë më nuk do të lejojë që të bijat e tjera të shkojnë në kasolle gjatë ciklit menstrual. Rasti i Samila Bhulit nuk është vetëm përjashtim fatkeq. Gazetat lokale vazhdimisht raportojnë për incidentet e lidhura me “chhaupadit”. Gratë detyrohet të qëndrojnë deri të ngrihen.

Ka shumë raste kur ato helmohen prej gjarpërinjve dhe kthehen vetëm si kufoma në shtëpi. Ka pasur raste kur është raportuar për përdhunime seksuale. Qeveria ka bërë pak për të ndaluar këtë praktikë në zonat e thella.

Megjithëse ka disa vjet që disa fshatra janë shpallur “të lira prej praktikës së ‘chhaupadit’”, të dhënat tregojnë se prej vitit 2006 kur u mor vendimi nuk është se ka ndryshuar shumë gjendja në terren. Vetëm kur nuk do të ketë më kasolle të ndërtuara poshtë e prapa shtëpive, atëherë gratë do të shpresonin se do të qëndronin në shtëpi edhe gjatë kohës së menstruacioneve.

Në disa zona janë shkatërruar kasollet, por banorët e zonave raportojnë për raste kur gratë lihen të flenë jashtë në fusha, duke iu ekspozuar rreziqeve të shumta gjatë netëve. Ato tani po ndihen edhe më të pambrojtura se kur lejoheshin në kasolle.

“E dini që nuk mund ne të hyjmë në një fshat, ku nuk i njihni njerëzit dhe të thoni se kjo nuk është rregull. Ne duhet t’i bindim njerëzit se duhet të ndryshojnë që ata ta marrin vesh se sa e rëndësishme është që të mbrojnë familjet e tyre. Kjo kërkon mund të madh për thyerjen e paragjykimeve”, thekson aktivistja Pema.

Po çfarë mund të bëhet atëherë për dalje prej kësaj rruge pa krye? “Për të adresuar seriozisht këtë çështje dhe që të thyhen tabutë, ne duhet të nisim menjëherë të ndryshojmë mendimet e tyre”, thekson Pema.

Kur flet me gra e merr vesh se ato nuk janë të informuar për gjendjen shëndetësore të trupit të tyre dhe për rëndësinë e ciklit menstrual.