Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e tij të XV, të mbajtur sot ka aprovuar tarifat e energjisë termike për ngrohtoren e qytetit Gjakova për sezonin e ngrohjes 2022/23.
Bordi ka vendosur që tarifat e kësaj ndërmarrje të mbesin të njëjta me ato të vitit të kaluar.
“Tarifat e energjisë termike (ngrohjes), si dhe të gjitha dokumentet përkatëse do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE-së, www.ero-ks.org“, thuhet në njoftim.
Në Mbledhjen e sotme, Bordi ka aprovuar kërkesën për lëshimin e autorizimit për projektin solar dhe pranimin ne kornizën e rregulluar të shoqërisë PRO ENERGY.
Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe ka aprovuar 22 kërkesa të konsumatorëve për autorizim për vet-konsum nga të cilat 10 vijnë nga ndërmarrjet dhe 12 nga personat fizik me gjithsej 569kW.
Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE www.ero-ks.org. /Telegrafi/