Telegrafi

Ngrohje me reduktime

Zyrtar të Termokos-it, kanë njoftuar nëpërmjet një komunikate për media konsumatorët se sistemi ngrohës do të funksionoj vetëm gjatë paradites nga ora 05 deri në ora 12, përkatësisht me reduktime, në të mirë të kursimit të lëndës së parë djegëse. Ky regjim i punës do të aplikohet për të gjithë konsumatorët e Prishtinës, përfshirë këtu edhe shkollat dhe institucionet parashkollore.

Termokos ka një marrëveshje me QKUK-në për të furnizuar me lëndë djegëse- naftë, gjatë orëve të pasdites do të organizohet një logjistike shtese nga ana e Termokos-it, me gjithë rrezikshmërinë e operimit të sistemit. Së këndejmi, në orët e mbrëmjes do të mbyllen valvolat nga Ngrohtorja qendrore dhe do të hapen valvolat e Ngrohtores lokale të QKUK-se, dhe ngrohja për QKUK do të funksionoj nga ngrohtorja lokale me naftë, deri në orët e vona të mbrëmjes. Kjo situatë do të vazhdoj deri në stabilizimin e furnizimit me lëndë djegëse.

Lidhur me ankesat e konsumatorëve, të drejtuara në “Termokos” përkitazi me faturimin e muajit dhjetor, menaxhmenti e ndjen për obligim t’i informoj konsumatorët se Termokos nuk faturon në mënyrë paushalli, porse posedon pajisje matëse të energjisë nëpër stacionet termike, në bazë të të cilave vërteton energjinë të cilën e ka dërguar te konsumatorët, nga ku bën edhe faturimin e tyre, bazuar në atë fakt.

Deri në përfundim të sezonit ngrohës, Termokos-it sipas Departamentit të Prodhimit, i nevojiten për furnizim 4 mijë e 700 ton mazut, apo 2 milionë e 855 mijë e 532 euro. /Telegrafi/