Telegrafi

Ngrohja me avull, më nxehtë, por jo më lirë!

Isak Beha, drejtor i strehimit në Qendrën Studentore të UP-së, i pyetur nga Telegrafi se si është duke funksionuar ngrohtorja ka thënë se në të kaluarën kanë pasur vështirësi në ngrohje, por tani cilësia e saj është më e mirë.

“Në të kaluarën kemi pas ngrohje vetanake ku kemi pas vështirësi me mungesë të cilësimit ngrohës, ndërsa me projektin e koogjenerimit nga Termokosi në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës ka arritur ngritje e cilësisë së ngrohjes dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur me nivelin e arritshëm”, ka thënë Beha.

Qendra e strehimit, përndryshe, sipas tij, është pagues i rregullt i faturave të energjisë termike.

Ndërkaq edhe banorët e Prishtinës, përkatësisht në lagjen “Ulpiana” janë shprehur të kënaqur me kualitetin e ngrohjes sivjet.

Sipas S.N., megjithatë, është dashur që çmimi i ngrohjes këtë vit të jetë më i lirë.

Projekti i Koogjenerimit i cili ka filluar më 27 nëntor të vitit që lamë pas, ka për qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës.

Zëdhënësja e Ngrohtores “Termokos” Afërdita Uka, sqaron për Telegrafin procesin e sistemit ngrohës i cili bëhet nëpërmes avullit që marrin nga Termocentrali “Kosova B” i cili shfrytëzohet për të ngrohur ujin që shkon nga “Termokos” deri në stacionin termik për nxjerrjen e nxehtësisë , që është ndërtuar në afërsi të Termocentralit “Kosova B”.

Prej aty, nga uji i ngrohtë, nëpërmes pompave qarkulluese përcillet deri në “Termokos”, përkatësisht në stacionin për pranimin e nxehtësisë prej nga më pas përcillet deri tek konsumatorët.

Po ashtu ajo ka thënë se për këtë projekt janë ndarë rreth 30 milionë euro, (13.825 milionë nga Komisioni Evropian, 11 milionë nga Qeveria gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (6 milionë prej të cilave janë grante, ndërsa 5 milionë janë kredi), 1.8 milion euro nga Qeveria Suedeze, 1.5 milion euro nga Qeveria e Luksemburgut dhe 2 milionë nga Komuna e Prishtinës.

Zëdhënësja Uka, ka shtuar se si rezultat i realizimit të suksesshëm të Projektit të koogjenerimit, që si rrjedhojë ka pasur ofrimin e ngrohjes së mjaftueshme dhe shumë më cilësore se që e kanë pasur deri më tani konsumatorët, është ngritur dukshëm edhe shkalla e inkasimit.

Ajo ka folur edhe për vështirësitë që janë paraqitur në realizimin e suksesshëm të projektit. “Pengesa e parë dhe e vetme që është paraqitur deri më tani është dalja nga funksioni i Bllokut 1 të Termocentralit “Kosova B”, të hënën paradite, gjë që nënkupton edhe ndërprerjen e furnizimit me ngrohje nëpërmes kogjenerimit”.

Projekti parasheh tri faza Koogjenerimin, Rehabilitimin dhe Zgjerimin. Fillimisht, përfitues të këtij projekti kanë qenë banorët e lagjeve “Ulpiana”, “Dardania”, “Kodra e Diellit” dhe “Qendër”.

“Sa i përket zgjerimit të rrjetit, ai parashihet me fazën e tretë të projektit, gjë që do të varet edhe nga fondet shtesë, që do të arrijmë të sigurojmë ndërkohë. Fillimisht zgjerimi i rrjetit parashihet të bëhet në lagjen ‘Mati 1’ dhe ‘Kalabria’”, ka thënë zëdhënësja Aferdita Uka. /E.Boletini/Telegrafi/