Site icon Telegrafi

Ngrohja, çmime më të larta për kompanitë e Maqedonisë

Qeveria dhe Komisioni Rregullator i Energjetikës janë duke përgatitur çmimore të reja për ngrohje qendrore, që do të jenë të vlefshme në situatë krize. Sipas informacioneve të Alsat në fazën përfundimtare është përgatitja e një analize se sa duhet të rritet çmimi i ngrohjes në kompani në mënyrë që qytetarët të mos e ndjejnë rritjen e ngrohjes për 15 për qind. Dokumenti nga Komisioni Rregullator i Energjetikës ka një përllogaritje ku thuhet se rritje më serioze të çmimit të ngrohjes do të kenë të gjitha kompanitë, ndërmarrjet publike, institucionet arsimore. Nga KRRE-ja për Alsat thanë se me siguri qytetarët do të kenë fatura të pandryshuara të ngrohjes.

“Vendimi është marrë si bazë që qeveria të mund të zbatojë masa që praktikisht do të amortizohet çmimi real dhe faturat e amvisërive do mbeten të njëjta, përkatësisht të pandryshuara”, thonë nga Komisioni Rregullator i Energjetikës

Rregullatori nuk u përgjigj çfarë faturash për ngrohje duhet të presin firmat private dhe institucionet publike, por për përgjigje na drejtoi te Qeveria. Nga Qeveria morëm përgjigje të shkurtër ku thuhet se ende nuk është marrë një vendim i tillë. Biznesmenët janë të befasuar nga ky plan i autoriteteve. Pas rritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike, rritjes së pagës minimale, rritja e paralajmëruar e ngrohjes do të përkeqësojë më tej situatën e likuiditetit në shumë kompani.

“Ne kemi vëllim ekonomik të reduktuar te të gjitha kompanitë dhe shpenzimet e ngrohjes që derdhen në sektorin privat janë gjithashtu një masë jopopullore që bizneset do të duhet ta paguajnë”, tha Mile Boshkov kryetar i Konfederatës së biznesit

Gjendja e krizës me ngrohjen është vazhduar deri më 30 prill. /Alsat.mk

Exit mobile version