Telegrafi

Ngritje pagash vetëm me “izën” e FMN-së

Ndërsa kryeministri në largim, Hashim Thaçi, të enjten ndihej i mllefosur për mospërmbushjen me kohë të premtimit të tij elektoral, për rritjen e pagave, duke ia faturuar këtë ngjarje rivalëve politikë.

Sipas tij, stërzgjatja e procesit të zgjedhje ka bërë që të shtyhet ky vendim për rritjen e pagave. “Unë kisha planifikuar ndërtimin e institucioneve në janar. Stërzgjatja e procesit zgjedhor ka qenë faktori vendimtar. Ai vendim është në fuqi dhe njerëzit do t’i marrin pagat me aprovimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës.

Kjo është përgjegjësi e gjithë spektrit politik, sa më parë të mblidhet Kuvendit, të aprovohet buxheti dhe njerëzit t’i marrin pagat e tyre”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo shtyrje është ndikuar direkt nga ankesat e partive politike, të cilat kanë zvarritur përfundimin e procesit zgjedhor.

Në anën tjetër, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se ngritje të tilla të pagave nuk do të ketë këtë vit. “Ngritje të tilla të pagave nuk do të ketë të vit, pasi që bëhet fjalë për një vendim të paligjshëm dhe nga një njeri jokompetent, i cili ka qenë i shkarkuar në kohën kur e ka marrë vendimin”, ka pohuar Shatri.

Sipas Shatrit, ngritja e pagave pa pajtimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar e kthen Kosovën, siç ka thënë ai, si Shqipërinë në kohën e Enver Hoxhës. Ai thotë se askush nuk është kundër rritjes së pagave, mirëpo, siç thotë ai, janë kundër mashtrimeve që u janë bërë shërbyesve civilë, ndonëse marrëveshja me FMN-në ka qenë krejt ndryshe.

Si pasojë e shkeljes së marrëveshjes mes Qeverisë dhe FMN-së, sipas Shatrit, është detyruar të ndërhyjë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë. “Tri vjet pas pavarësisë së Kosovës, qeveria e ka detyruar që ICO-n të ndërhyjë në këtë çështje”, ka potencuar Shatri.

Ndërsa ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, nga Uashingtoni ku po takohet me drejtuesit e FMN-së, ka deklaruar për media se zvarritja në krijimin e institucioneve të reja ka sjellë si rrjedhojë edhe vonesa në miratimin e buxhetit të vitit 2011. /Zëri/Telegrafi/