Telegrafi

Ngritja e peshës nga pozita e shtrirë në bankë të rrafshët

Idriz Humolli,
www.fitness-prishtina.com

Gjerësia e mbajtjes së peshës – shufrës vazhdimisht duhet nderuar me qëllim të goditjes së muskujve të gjoksit nga të gjitha këndet. Me gjerësi tejet të gjerë goditet më tepër pjesa e jashtme, me gjerësi pak me të ngushtë se gjerësia e krahëve goditet pjesa qendrore, ndërsa me mbajtje të ngushtë – kur duart janë shumë afër njëra-tjetrës bëhet goditja e pjesës së brendshme të muskujve të gjoksit.

Ushtrimi ekzekutohet duke lëshuar peshën deri në pjesën qendrore të gjoksit me ç’rast bërrylat duhet të largohen sa më tepër prej trupit. Ngritja e peshës duhet të bëhet deri në shtrirjen e plotë të duarve.

Gjatë lëshimit të peshës në gjoks bëhet frymëmarrja e thellë ndërsa me rastin e ngritjes-shtypjes, fryma nxirret jashtë. Shpina gjatë tërë ushtrimit duhet të jetë e mbështetur plotësisht për bankë dhe nuk guxon të lakohet sepse me këtë rast dukshëm zvogëlohet efekti i ushtrimit.

Ushtrimi bënë pjesë në grupin e ushtrimeve bazike, është i përshtatshëm për përdorimin e peshave të mëdha dhe përveç zhvillimit të muskujve të gjoksit stimulon dhe angazhon muskujt e krahëve veçanërisht pjesës së përparme dhe muskujt triceps – shtytja e peshës nga pozita e shtrirë në bankë të rrafshët mund të ekzekutohet edhe me përdorimin e peshave njëdorëshe.

Natyrisht kur ekzekutimi bëhet duke mbajtur në secilën dorë nga një peshë, pesha e përgjithshme është më e vogël, megjithatë kjo mënyrë e ekzekutimit mundëson zgjatjen edhe më të madhe të muskujve të gjoksit sepse duart gjatë lëshimit të peshave mund të shkojnë nën nivelin horizontal të gjoksit deri sa ushtrimi me peshë dyduarëshe lejon lëshimit e peshës dhe duarve anash vetëm deri sa shufra. ta prek gjoksin.

Gjatë lëshimit të peshës duhet pasur kujdes që lëvizjet të jenë të kontrolluara dhe kurrsesi të mos bëhet mbështetja apo shtypja e shufrës në gjoks. /Telegrafi/