Janë katër vendime të marra gjatë muajt të kaluar që e degraduan dhe e dërguan situatën në veri të Kosovës deri në pikën ekstreme të ndryshimit të gjendjes për të keq, e të cilat vendime janë bërë me “aminin” e qeverisë së Kosovës. Së pari, pranimi në heshtje nga ana e qeverisë së Kosovës, i nënshkrimit të Protokollit për bashkëpunim mes EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (i cili protokoll është pjesë e gjashtëpikëshit të Sekretarit Ban ki-Mun). Së dyti, vendimi i qeverisë së Kosovës për të mos zhvilluar zgjedhje lokale në pjesën veriore të Mitrovicës. Së treti, vendimi i partisë qeverisëse në Kosovës (PDK-së) që të bashkëpunoj, për interesa të ngushta politike, me strukturat paralele të serbëve në Komunën e Shtërpcës, për të shkarkuar nënkryetarin e kësaj komune (pse ai braktisi PDK-në). Së katërti, miratimi i vendimit të Bashkimit Europian, nga ana e qeverisë së Kosovës, që për veriun të caktohet një emisar special, (ai që nuk është nga Kosova dhe nuk i ka të njohura rrethanat juridike dhe politike këtu, do të mendoj se bëhet fjalë për një pjesë që nuk i takon Kosovës).
Këto vendime padyshim se kanë nxjerr humbëse institucionet e Kosovës dhe Bashkimin Europian (BE), ndërsa fitues serbët e veriut të Kosovës dhe Serbinë. Këta hapa do të jenë të rrezikshëm, për faktin se do të trimërojnë serbët e veriut dhe Serbinë që të vazhdojnë edhe më tej me kundërshtimin e tyre ndaj veprimeve dhe synimeve të institucioneve të Kosovës dhe BE-së, për të vendosur kontroll në veri. Madje, do të shohim se tani e tutje BE-ja do të jetë i “detyruar” të përdorë dy qasje apo politika në raport me zhvillimet në Kosovës: një politikë që do të vazhdojë të angazhohet dhe interesohet për Kosovën-minus pjesën veriore dhe një politikë që do të angazhohet vetëm për pjesën veriore. Por, ajo që të çudit në gjithë këtë situata, është heshtja që i është bërë kësaj gjendje, ndoshta arsyeja është se palët janë të zëna me fushatën zgjedhore dhe nuk kanë kohë për tema nacionale.
Si do që të jetë, e gjitha kjo situatë e krijuar është ecje prapa, sepse dhjetë vite angazhim për ta futur nën kontrollin e Prishtinës këtë pjesë të Kosovës, rezultojnë të humbura. Sipas logjikës që po ndiqet, do të thotë se e gjitha në veri të Kosovës do të filloj nga e para, më shpresë se strategjia e re, e iniciuar nga BE-ja dhe mbështetur nga qeveria e Kosovës, do të mund të jap frytet e kërkuara. Përkundër kësaj dëshire, ne do të shohim se nisma e tyre do të rezultojë e gabuar, për faktin se në veriun e Kosovës, jo që nuk do të ketë zbutje dhe tërheqje të serbëve të Kosovës nga qëndrimet e deritashme, por ata vetëm sa do t’i forcojnë dhe konsolidojnë qëndrimet dhe kërkesat e tyre. Në rrugë e sipër BE-ja dhe institucionet e Kosovës do të përballen me kërkesa të reja, shumë më radikale dhe që do të mund ta venë në pikëpyetje edhe vetë unitetin territorial të shtetit të Kosovës.
Nëse kujtojmë ngjarjet e para një muaj në veriun e Kosovës, e cila pjesë ishte shndërruar në një zonë të nxehtë, aty tregohet qartë, se kush qeveris me atë pjesë të Kosovës! Vetëm kur u plotësuan kushtet e vëna nga serbët, në veri u zhbllokua situata, e cila ishte karakterizuar me protesta, ku kishte edhe gjuajtje me armë dhe hedhje të granatave para syve të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it dhe asnjë veprim i ndërmarr nga organet e rendit. Në veri po ashtu u vërtetua edhe teza, që në vazhdimësi është hedhur poshtë nga qeveria e Kosovës, se komanda e Policisë së Kosovës nuk funksion për policët e stacioneve atje dhe se ata nuk pranojnë urdhrat e Prishtinës. Ndërsa ka më shumë se një muaj që dhjetëra aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje! janë në paraburgim, pse rrokullisen disa makina, (vetëm në shtetet jodemokratike ndodhë që në shekullin XXI të burgosesh për shkak të bindjeve politike).
Duke parë këtë situatë dhe të gjendur përball refuzimit të vazhdueshëm që serbët u bëjnë institucioneve të Kosovës, qeveria e Kosovës dhe BE-ja kanë vendosur që tani e tutje pjesa veriore të menaxhohet dhe trajtohet si çështje e veçantë (territor i veçantë), duke provuar variantin e stimulimit ekonomik dhe politik të serbëve, në shkëmbim të pranimit nga ana e tyre të ligjeve të Kosovës së pavarur. Siç jemi njoftuar, pas Protokollit për polici, së shpejti pritet të nënshkruhen edhe protokolli për dogana dhe gjyqësi mes EULEX-it dhe Serbisë (të dy këto protokolle janë pjesë të planit gjashtëpikësh qe qeveria thotë se ka vdekur), me çka të hyrat nga doganat në veri do të shkojnë në buxhetin e komunave të veriut, ndërsa që gjyqësia do të jetë e “pavarur” nga Prishtina dhe e “varur” nga EULEX-i. Kjo qasje do të tregohet e gabuar, sepse jo vetëm që nuk do të arrihet qëllimi i synuar, por, për herë të parë po pranohet publikisht dështimi, si nga ana e qeverisë së Kosovës, ashtu edhe nga BE-ja në veri të Kosovës.
Të dy palët e këtij projekti do të dështojnë, sepse nuk mund të quhet i zgjidhur një problem, nëse ai heshtet, shtyhet për kohë me të tjera dhe bëhet eksperimente më të (siç po bëhet me krejt Kosovën), me shpresë së gjërat vetvetiu do të marrin drejtimin e duhur dhe synuar. Nëse serbët sot, që janë mes shumë ofertave, siç është decentralizimi dhe ofertat ekonomike e politike, nuk heqin dorë nga kërkesat dhe synimet e tyre, pse duhet të presim që nesër, kur do të jenë me të fuqishëm dhe të konsoliduar politikisht dhe ekonomikisht, serbët do të pranojnë një ofertë që e refuzojnë sot?! Është një parim që ndiqet në negociata: palët shtyhen në arritjen e marrëveshjes, duke kërkuar më shumë se sa u ofrohet, dhe në këtë kontekst serbët nesër nuk do të kenë arsye të pranojnë më pak se sa që po u ofrohet sot. Përkundrazi, ata do të kërkojnë që të rritet çmimi, ku përtej detyrimit të qeverisë së Kosovës dhe BE-së që ta trajtojnë veriun si territor të veçantë (në të gjitha fushat), çfarë mund të jetë kërkesa e re e një të lazdruari?!
Duke e përshkruar gjendjen, edhe pas rreth 15 vjetëve në Bosnjë e Hercegovinë, gazeta amerikane “The New Yort Times” shkruan se “në Sarajevë BE-ja ka katër misione në zyra të ndara, ku zyrtarët e këtyre misioneve mbajnë takime…, me qëllim që të koordinohen mes vete dhe me stafin e 20 ambasadave të shteteve të BE-së dhe me institucionet tjera ndërkombëtare”, por që sipas ish-përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Paddy Ashdown “realiteti i hidhur është se institucionet e BE-së dhe mekanizmat për ekzekutimin e politikës së jashtme janë aktualisht në gjendje katastrofike”. Bosnja është shembulli konkret, i cili asnjëherë nuk është marrë për krahasim, (fatkeqësisht për të keq), nga institucionet e Kosovës, për t’ia bërë të qartë apo për të paralajmëruar BE-në, se si nuk duhet të punoj në Kosovë!
Me gjithë këtë fakt, metoda e punës që BE-ja po përdor në Kosovë nuk dallon nga ajo që është përdor në Bosnjë për rreth 15 vjet? Për më keq se kaq, Kosova gjendet në situatë edhe me të vështirë se sa Bosnja, ngase për dallim që Bosnjën e kanë njohur të 27 shtetet anëtare të BE-së, Kosovën nuk është njohur nga pesë prej tyre janë dhe ato po bllokojnë proceset që kanë të bëjnë me Kosovën. Tani Kosova përveç që duhet të përballet me dy politika të BE-së, atë të 27 shteteve (që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës) dhe të 22 shteteve (që njohin pavarësinë), është e detyruar që po ashtu brenda për brenda vetë Kosovës të ballafaqohet edhe më katër zyra ndërkombëtare (UNMIK,EULEX,EUSR që janë neutrale ndaj statusit dhe ICR që pranon pavarësinë), si dhe më shumë interesa të ambasadave.
Për me keq se kaq, qytetarët e Kosovës në veri po shohin çdo ditë e më shumë ndërhyrje të këtyre palëve në përgjegjësit e njëra-tjetrës, me pretendimet për pushtet politik dhe të sigurisë nga tetë institucione të ndryshme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare: institucionet e Kosovës, UNMIK-u, Serbia, strukturat paralele të serbëve në veri, ICO, EULEX, Policia e Kosovës (e ndarë në dysh: shqiptare dhe serbe) dhe KFOR-i. Kjo situatë kaotike kompetencash dhe përgjegjësish padyshim se pjesën veriore të Kosovës do ta shndërroj në një “Republika Serpska”.
Prandaj, pas shumë përpjekjeve dhe trantativave duket se në fund qeveria e Kosovës është dorëzuar ndaj shantazheve të serbëve të Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka ngritur duart lart apo flamurin e bardh në veriun e Kosovës, ngase nuk arriti ta vejë nën-kontroll dhe ta menaxhojë si çështje dhe territor. Deri në këtë pikë, situata erdhi edhe për faktin se ka munguar një plani konkret dhe qasje serioze nga ana e qeverisë së Kosovës, se si duhet vepruar dhe menaxhuar me atë territor dhe ata qytetar. Tani e gjithë situata në pjesën veriore të Kosovës i është lenë në menaxhim EULEX-it, UNMIK-ut dhe ICO-së, (që siç e thamë ICO do të ndahet në dy zyra, ICR që njeh pavarësinë e Kosovës dhe EUSR që nuk njeh pavarësinë), që së bashku me serbët dhe Serbinë të vendosin rregullat e funksionimit të jetës institucionale atje.
(Autori ka magjistruar për politikë të jashtme dhe punon si gazetar)