Rritja e çmimit të derivateve po bëhet shkas edhe për ngritje të çmimit të biletave të udhëtimit, por edhe të çmimeve të produketeve të ushqimit.
Ruzhdi Kurtishaj, nga një kompani transporti, thotë për RTV Dukagjinin se rritja e çmimit të derivateve do të ndikojë edhe në çmimet e biletave.
“Ndryshimi i çmimeve të naftës si për ne ashtu edhe për klientët, është diçka që nuk mirëpritet, sepse ka një ndikim në koston e udhëtimit dhe shërbimit. Duhet të ketë patjetër një ngritje prej 20 për qind të çmimit të biletës, edhe pse deri më tani nuk kemi lëvizur në këtë drejtim”, është shprehur ai.
Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), thotë se pritet të ngritën edhe çmimet e produkteve ushqimore. Kësisoj do të ketë ndikim drejtpërdrejtë te shporta e qytetarit.
“Kur kemi një ngritje të çmimeve të derivateve, si produkt strategjik, në mënyrë zingjirore do të ndikojë në ngritjen e kostos qoftë të prodhimeve vendore, qoftë të shërbimeve, dhe në këtë mënyrë qytetari i Kosovës do të goditet në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ka thënë kreu i OEK-ut, përcjell Telegrafi.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se aktualisht ministria ka vetëm kompetencë kontrollimin e cilësisë së naftës. Theksoi se Kosova duhet të ketë edhe rregullatorin e çmimit të naftës.
“Mundemi ta shqyrtojmë mundësinë për rregullimin e çmimit të naftës. Ligji i naftës është në procedurë dhe ndoshta do ta kemi pjesë edhe rregullatorin për çmimin e naftës, sepse vendet e rajonit tashmë e kanë. Shteti mund të ketë rregullatorin. Janë zyrtarët që vendosin se sa mund të shkojë çmimi maksimal i naftës”, ka deklaruar ministri Hasani.
Çmimi i naftës për një litër nga 98 cent, sa ishte para disa javësh, tash sillet rreth 1.18 euro, ndërsa ai i benzinës, nga 1.8 euro për litër, është rritur në 1.22 euro./Telegrafi/
https://youtu.be/do36FeF2LlE?t=953