Telegrafi

Ngritet aktakuzë për kryetarin e Novo Sellës për kontrabandë me cigare

Prokuroria Themelore Publike në Strumicë sot në gjykatë ka dorëzuar aktakuzë kundër pesë personave për veprën penale “kontrabandë”.

Mes të akuzuarve është edhe kryetari i Komunës së Novo Sellës, Boro Stojçev, i cili dyshohet për kontrabandë të një sasie të madhe të cigareve me vlerë prej 3.245.589 denarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Së bashku me aktakuzën në Gjykatën Themelore në Strumicë është dorëzuar edhe propozimi për vazhdimin e masës së paraburgimit për katër të akuzuarit, pasi prokurori publik vlerësoi se janë përmbushur të gjitha kushtet për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Lexo po ashtu Publikohen pamje pas arrestimit të kryetarit të Novo Sellës, për kontrabandë me cigare (Video)

“Të akuzuarit ngarkohen se më 10 korrik të këtij viti, së bashku me persona tjerë, duke i ikur kontrolleve doganore kanë kontrabanduar një sasi të madhe të cigareve. Ata nga policia janë ndaluar në rrugën kalimin kufitar mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, ku janë pritur nga i akuzuari i pestë, i cili ka pasur për detyrë ta sheh terrenin dhe të njoftojë për prani eventuale të policisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përndryshe, për këtë vepër për të cilën akuzohen Boro Stojçev dhe katër persona tjerë parashihet burg prej gjashtë muaj deri 5 vite burg./Telegrafi/