Site icon Telegrafi

Ngritët aktakuzë për korrupsion ndaj Pal Lekajt

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar prokurori special, Faik Halili, por që nuk ka pranuar të jep më shumë detaje.

Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokurori Halili, ka thënë se aktakuza ndaj Lekajt tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Ndryshe, Pal Lekaj, për dy mandate ka qenë kryetar i Komunës së Gjakovës, nga viti 2007 e deri në vitin 2013, kur kishte humbur garën nga Mimoza Kusari – Lila.

Pas kësaj, Lekaj ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kishte ushtruar edhe postin e shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Pas zgjedhjeve të fundit, ai ishte emëruar ministër i Infrastrukturës, në ekzekutivin kosovar, të cilin e udhëheq shefi i tij i partisë, Ramush Haradinaj.

Exit mobile version