Site icon Telegrafi

Ngritet aktakuzë ndaj zëvendësministrit Cena

Më pak se një muaj pasi ishte arrestuar, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Inovacionit, Musa Cena, do të përballet me aktakuzën e ngritur nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Kujtim Munishi.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj zëvendësministrit tashmë të shkarkuar dhe dy të akuzuarve të tjerë të këtij rasti e konfirmoi prokurori Kujtim Munishi.

“Mund të konfirmoj se aktakuza ndaj tre të pandehurve të këtij rasti është deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Vepra që rëndon mbi dy të pandehurit e parë është keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa ndaj të pandehurit H.Sh. rëndon vepra ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Munishi për Kallxo.com.

Ndryshe nga dyshimi fillestar, Munishi tha se nuk janë gjetur të mbështetura edhe pretendimet për veprën penale të ryshfetit dhe është pushuar hetimi në atë drejtim.

Lexo po ashtu Arrestohet zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, dyshohet për "marrje të ryshfetit"

Më 20 tetor të këtij viti Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka arrestuar tre persona.

“Me datë 20.10.2018 Policia e Kosovës pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore ka kryer arrestimin e tre personave të dyshuar te involvuar në veprat penale Marrje e Ryshfetit dhe Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit Zyrtar sipas kodit penal te Republikës se Kosovës. Te dyshuarit duke vepruar ne bashkëkryerje dyshohet se kane marre ryshfet nga pala e dëmtuar. Te gjitha veprimet tjera policore do te ndërmerren konform autorizimeve dhe rekomandimeve te organeve kompetente te drejtësisë”, kishte thënë zëdhbnësi i Policisë Daut Hoxha.

Exit mobile version