Telegrafi

Ngritet aktakuzë ndaj prokurorit të Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, kundër të pandehurit A.M., për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Sipas njoftimit për media Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër prokurorit A.M., tani më i suspenduar për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

“I njëjti në cilësinë e personit zyrtar – Prokuror i Shtetit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me dashje e ka keqpërdorur pozitën dhe detyrat e prokurorit, në atë mënyrë që me rastin e ngritjes së aktakuzës, në disa raste penale, në mënyrë drastike e ka zbutur kualifikimin penal të veprës, në kundërshtim me ligjin, ashtu që për kryesit e veprave ka siguruar dënime shumëfish më të lehta se sa e parasheh ligji për veprat penale të cilat i kanë kryer”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale./Telegrafi/