Telegrafi

Ngritet aktakuzë ndaj personit që vrau 11 njerëz në një sinagogë në SHBA

Një person që dyshohet se ka vrarë 11 persona në një sinagogë në Pitsburg në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është akuzuar për 29 vepra kriminale. Prokurorët thanë se Robert Bowers, 46-vjeç, akuzohet për krime që përfshijnë përdorimin e armëve për të kryer vrasje dhe pengim të ushtrimit të besimeve fetare.

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sesssions, tha se akuzat për krime të urrejtjes “që mund të çojnë në dënim me vdekje” po ashtu do të ngriten nga autoritetet.

Të paktën gjashtë persona të tjerë, përfshirë edhe katër policë janë plagosur, përpara se autoritete të mund të arrestonin të dyshuarin.

Lexo po ashtu Të shtënat me armë në Pitsburg, shkon në 11 numri i viktimave (Video)

Autoritetet thonë se i dyshuari është dërguar në spital pasi është plagosur gjatë konfrontimit me zyrtarët policorë.

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë gazetarëve se do të udhëtojë për në Pitsburg, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Lexo po ashtu Trump dënon sulmin me armë zjarri në Pitsburg (Video)

Trump ka dënuar atë që ai e përshkroi si akt “të urrejtjes” dhe lavdëroi zyrtarët e ligjit për “punën e jashtëzakonshme”. Ai po ashtu tha se sulmuesit e tillë duhet të dënohen me vdekje. /Telegrafi/